Kina i ka kërkuar Kanadasë të lirojë shefen financiare të gjigantit teknologjik kinez, Huawei, Meng Wanzhou, që është arrestuar dje dhe përballet me ekstradim në Shtetet e Bashkuara, pas supozimeve se ajo ka tentuar të anashkalojë sanksionet amerikane në Iran.
Disa ekspertë kanë thënë se arrestimi i Wanzhousë, shefe financiare në Huawei mund të rrisë tensionet në mes të Pekinit dhe Uashingtonit, të cilat kanë nisur fillimisht për shkak të tarifave tregtare në mallrat e njëra-tjetrës.
Meng është pjesë e bordit të Huaweit dhe vajza e Ren Zhengfei, i cili ka qenë ish inxhinier i ushtrisë kineze.
Huawei është furnizuesi më i madh në botë i pajisjeve të përdorura për telefona të mençur dhe kompani të internetit.
Zyrtarë të inteligjencës amerikane kanë akuzuar Wanzhoun se ka qenë në qendër të spiunimit të ushtrisë kineze dhe shërbimeve të sigurisë.
Uashingtoni ka rivendosur sanksione ndaj Teheranit në maj të këtij viti, pasi Shtetet e Bashkuara në muajin maj janë tërhequr nga marrëveshja bërthamore që ka nënshkruar Irani me fuqitë botërore më 2015.
Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton i ka thënë radios NPR se ai ka pasur njohuri për arrestimin e Mengut paraprakisht, mirëpo nuk ka komentuar detajet e këtij rasti.