Gjiganti i inteligjencës artificiale Baidu ka lansuar ‘robotaksitë autonomë’, taksitë e parë pa shoferë në Pekin.
Si pjesë e Lojërave Olimpike dimërore Pekini 2022, në këtë qytet janë lansuar taksitë pa shoferë për të transportuar vizitorët e lojërave.
I cilësuar si hap i madh në vozitjen autonome për të gjithë botën, shërbimi i Baidu Apollo Go Robotaxi është shërbimi i parë i veturave vetëvozitëse, ku përdoruesit do të mund ta thërrasin nga telefoni dhe të shkojnë në vendin ku ata dëshirojnë pa ‘folur me shoferin’.
Konsumatorët do të mund ta thërrasin taksinë vetëvozitëse nga telefoni, ta caktojnë lokacionin ku gjenden madje nëse nuk e shohin atë, mund t’i bien burisë nga telefoni i tyre, deri ta gjejnë, transmeton KOHA.
Hapja e veturës do të bëhet me kodin QR për verifikim të identitetit. Pas hyrjes në veturë, pasagjerët thjesht duhet të shtypin një buton “fillo udhëtimin”, dhe menjëherë pas shtypjes të tij, vetura do të fillojë udhëtimin, pasi të sigurohet që dyert janë mbyllur e rripat e sigurisë janë vënë.
“Sot, ne kemi startuar shërbimin autonom të taksive ‘robotaxi’ për publikun në Pekin, gjë të cilën e kemi arritur pas testimeve të panumërta në shumë qytete për një kohë të gjatë”, ka thënë zëvendëspresidenti dhe menaxheri gjeneral i Baidu, Yenpeng Wang.