Kina thotë se po kryen stërvitje ushtarake pranë ngushticës së Tajvanit për të “mbrojtur sovranitetin e saj”.
Veprimet e Kinës po ndodhin pavarësisht se një zyrtar i lartë i SHBA-së po viziton Tajvanin.
Stërvitjet që përfshijnë edhe të shtëna me zjarr, vijnë në mes të tensioneve në rritje midis Pekinit dhe Uashingtonit.
SHBA-ja ka lëvizur në drejtim të një mbështetjeje më të madhe për Tajvanin.
Kina e konsideron Tajvanin e vet-qeverisur si një provincë të shkëputur.
Keith Krach është zyrtari i nivelit më të lartë nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së që viziton ishullin në dekada, raporton BBC.
Të premten, zëdhënësi i ministrisë së mbrojtjes të Kinës, Ren Guoqiang, akuzoi SHBA-në dhe Tajvanin për “përshpejtimin e bashkëpunimit, duke shkaktuar shpesh shqetësime”, megjithëse ai nuk bëri asnjë referencë për vizitën.
Ai u tha gazetarëve se “përdorimi i Tajvanit për të kontrolluar Kinën” mbetet vetëm një dëshirë.
Uashingtoni tha se Krach, i cili është nënsekretar amerikan i çështjeve ekonomike, po vizitonte Tajvanin për të marrë pjesë në një shërbim përkujtimor për presidentin e ndjerë Lee Teng-hui.
Më vonë të premten ai është planifikuar të takojë presidentin e Taivanit, Tsai Ing-wen.
Megjithëse SHBA-ja nuk ka një marrëdhënie zyrtare diplomatike me Tajvanin, Akti i Marrëdhënieve me Tajvanin i vitit 1979 e lejon atë të shesë armë në ishull dhe e angazhon për “marrëdhënie të ngushta”.
Vizita vjen në një kohë që marrëdhëniet SHBA-Kinë kanë rënë në pikën e tyre më të ulët ndër vite.
Të dy kombet janë përfshirë në një luftë tregtare që nga viti 2018, pastaj u përleshën për pandeminë e koronavirusit dhe shkëmbyen akuza për spiunazh.
Marrëdhëniet e tensionuara kanë ndikuar gjithashtu në fusha të tjera, duke përfshirë një goditje që SHBA-ja ka ndërmarrë ndaj firmave të teknologjisë kineze heqjen e vizave për studentët kinezë.
Më herët, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo u bëri thirrje vendeve aleate të kundërshtojnë aspiratat “hegjemoniste” të Partisë Komuniste të Kinës.
“Bota e lirë duhet të triumfojë mbi këtë tirani të re”, ka thënë Pompeo.