Kina mohon shqetësimet e Papës për “ujgurët e persekutuar”

Prishtinë | 24 Nën 2020 | 17:58 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Jashtme Kineze i ka hedhur poshtë kritikat e Papa Françeskut për trajtimin e ujgurëve myslimanë nga Kina. Shteti komunist i ka cilësuar si të pabaza akuzat e liderit të Selisë së Shenjtë.

Në një libër të ri: “Le të ëndërrojmë: Shtegu drejt të ardhmes më të mirë”, Papa Françesku shkruan: “Mendoj shpesh për popujt e persekutuar: rohingyat, ujgurët e gjorë, jazidët”.

Ishte hera e parë që ai i konsideron ujgurët popull të persekutuar, diçka që aktivistët e të drejtave të njeriut e kanë inkurajuar për vite me radhë që ta adresonte si shqetëism.

Zëdhënësi i diplomacisë kineze, Zhao Lijian, i ka hedhur poshtë akuzat e liderit të katolikëve të botës.

“Qeveria kineze ka mbrojtur gjithnjë të drejtat legale të pakicave etnike barabar”, ka deklaruar ai gjatë një konference për media.

Qytetarët e të gjitha etnive në Xinjiang gëzojnë mbrojtje të plotë të të drejtave të tyre themelore, të drejtave të zhvillimit dhe lirisë fetare, ka shtuar Zhao.

“Deklaratat e Papës janë të pabaza”, ka deklaruar ai.

Megjithëse papa kishte folur më parë për rohingyat, të cilët janë zhvendosur nga Birmania dhe për jazidit të vrarë nga “Shteti Islamik” në Irak, ishte hera e parë që i ka përmendur ujgurët.

Liderët fetarë, grupet e aktivistëve dhe qeveritë kanë thënë se krime kundër njerëzimit dhe gjenocid po ushtrohet kundër ujgurëve në rajonin kinez të Xinjiangut, ku më shumë se një milion ujgurë po mbahen në kampe.

Aktivistët kanë dëshmuar se si po kryhen krimet kundër qytetarëve të pafajshëm vetëm për shkak të etnisë dhe fesë së tyre. Kina i ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se kampet janë qendra të mëdha trajnimi dhe edukimi për anëtarët e kësaj pakice. Madje Pekini zyrtar vlerëson se kampet janë qendra kundër terrorizmit dhe deradikalizimit.

Shumë komentues kanë thënë se Vatikani po hezitonte të fliste kundër dhunës e represionit ndaj ujgurëve, sepse ishte në procesin e arritjes së një marrëveshjeje të re me Pekinin për të emëruar ipeshkëv. Kjo marrëveshje është përtërirë në shtator. \ Reuters

Të ngjashme