Rregullatorët më të fuqishëm të Kinës të premten e ashpërsuan luftën ndaj kriptovalutave me ndalim të përgjithshëm të të gjitha transaksioneve dhe prodhimit të kriptovalutave. Ky vendim ndikoi që vlera e Bitcoin-it të shënojë rënie menjëherë.
Dhjetë agjenci, përfshirë Bankën Qendrore dhe rregullatorët për banka, siguri dhe shkëmbime të jashtme, u zotuan për ta çrrënjosur aktivitetin me kriptovaluta, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Banka Popullore e Kinës tha se kriptovalutat nuk duhet të qarkullojnë si valuta shtesë dhe se shkëmbimet e jashtme ndalohen të ofrojnë shërbime tek investitorët brenda vendit përmes internetit.
Kjo bankë gjithashtu ua ndaloi institucioneve financiare, kompanive të pagesave dhe të internetit që ta lehtësojnë tregtimin e kriptovalutave brenda vendit.
Pas këtij vendimi, kriptovaluta më e madhe në botë, Bitcoin, pësoi rënie për më shumë se 6 për qind. Rënie pësuan edhe kriptovalutat tjera. Etherium ra për 10 për qind.