Kina pajtohet me ShBA-në, do t’i hapë rezervat e naftës për ta luftuar shtrenjtimin

Prishtinë | 14 Jan 2022 | 10:09 | Nga Ekonomia Online

Kina do të lirojë për treg naftë të papërpunuar nga rezervat strategjike gjatë festave të Vitit të Ri Hënor, që fillojnë më 1 shkurt, si pjesë e një plani të bashkërenduar me Shtetet e Bashkuara me konsumatorë tjerë të mëdhenj për t’i ulur çmimet botërore të karburanteve, i thanë disa burime agjencisë “Reuters”.

Këto burime, të cilat kanë njohuri rreth bisedimeve mes dy vendeve që konsumojnë më së shumti naftë të papërpunuar në botë, thanë se Kina është pajtuar në fund të vitit të kaluar që të lirojë një sasi të pasaktësuar të naftës, varësisht nga niveli i çmimeve.

“Kina është pajtuar që të lirojë një sasi relativisht më të madhe, nëse çmimi i naftës shkon në mbi 85 dollarë për fuçi, dhe një sasi më të vogël, nëse çmimi qëndron afër nivelin prej 75 dollarësh për fuçi”, tha një burim, pa dhënë hollësi të tjera.

Burimet thanë se lirimi i rezervave nga Kina do të ndodhë rreth Vitit të Ri hënor. Kinezët janë në pushim për festën më të madhe vjetore – nga 31 janari deri më 6 shkurt, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.

Marrëveshja për hapjen e rezervave nga Kina është rezultat i një vargu të diskutimeve serioze, të raportuara në nëntor nga agjencia “Reuters”, që administrata e Bidenit i ka zhvilluar edhe me konsumatorë tjerë të mëdhenj, pasi furnizimi i ulët kishte ndikuar që çmimet e karburanteve ta arrijnë nivelin më të lartë në disa vjet.

Presidenti amerikan dhe ndihmësit e tij e kanë diskutuar mundësinë për lirimin e bashkërenduar të rezervave me disa aleate të ngushta si Japonia, Koreja Jugore dhe India, por edhe me Kinën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme