Kina: Përdorimi i forcës nga ShBA-ja po i përkeqëson tensionet në Lindjen e Mesme

Prishtinë | 06 Jan 2020 | 10:47 | Nga Ekonomia Online

Kina i ka kritikuar Shtetet e Bashkuara për përkeqësim të tensioneve në Lindjen e Mesme përmes përdorimit të forcës në përplasjen mes Uashingtonit dhe Tehranit dhe bëri thirrje që të gjitha palët të vetëpërmbahen me qëllim të sigurimit të paqes dhe stabilitetit.

Vrasja e gjeneralit të lartë iranian, Qassem Soleimani, përmes një droni nga forcat amerikane i ka shtuar tensionet në konfliktin mes dy shteteve që edhe më parë kishin armiqësi mes vete për shkak të programit bërthamor të Iranit.

“Politika e fuqisë nuk është as e popullarizuar, as e qëndrueshme. Sjellja e rrezikshme ushtarake e Shteteve të Bashkuara në ditët e fundit është kundër normave themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Geng Shuang.

“U bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara që të mos e keqpërdorin fuqinë e tyre dhe u bëjmë thirrje palëve relevante që të vetëpërmbahen për ta shmangur përkeqësimin e gjendjes”, tha ky zyrtar, duke shtuar se Kina është shumë e shqetësuar për mosmarrëveshjen mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, shkruan “Reuters”, transmeton Express.

Kina i kritikoi Shtetet e Bashkuara edhe për kërcënimin me sanksione kundër Irakut në rast të dëbimit të trupave amerikane.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme