Zyrtarët shëndetësorë në Kinë kanë publikuar detajet e para të më shumë se 70,000 rasteve të infektuara me koronavirusin e ri, Covid-19.
Ky është studimi më i madh që prej fillimit të epidemisë.
Të dhënat nga Qendra Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CCDC) zbuluan se më shumë se 80 për qind e rasteve kanë qenë me simptoma të lehta, duke theksuar se më të rrezikuarit nga virusi janë të moshuarit.
Studimi tregon gjithashtu për një rrezik të lartë për personelin mjekësor.
Publikimi i studimit vjen pasi një drejtori i spitali në Vuhan, të martën, vdiq nga infeksioni me virus.
Liu Zhiming, 51-vjeç, ishte drejtori i Spitalit Wuchang në Vuhan – një nga spitalet kryesore në qytetin ku është epiqendra e virusit.
Ai është një nga zyrtarët më të vjetër shëndetësorë që vdiq deri më tani.
Provinca Hubei ku gjendet qyteti Vuhan, është provinca më e prekur nga virusi.
Raporti nga CCDC tregoi se niveli i vdekjeve në provincë është 2.9 për qind krahasuar me vetëm 0.4 për qind në pjesën tjetër të vendit.
Gjetjet e studimit treguan gjithashtu se niveli i përgjithshëm i vdekjeve nga virusi Covid-19 është 2.3 për qind e të infektuarve.
Të dhënat e fundit zyrtare të Kinës të publikuara të martën bëjnë të ditur se numri i përgjithshëm i vdekjeve është 1,868 dhe 72,436 infeksione.
Zyrtarët thanë se kishte 98 vdekje të reja dhe 1.886 raste të reja me infeksion, 93 prej këtyre vdekjeve dhe 1.807 nga infeksionet ishin në provincën Hubei – epiqendra e shpërthimit.
Më shumë se 12,000 njerëz janë shëruar, sipas autoriteteve kineze.
Çfarë thuhet më shumë në studim?
Hulumtimi zbuloi se epidemia arriti kulmin rreth datave 23-26 janar para se të binte më 11 shkurt.
Studimi sugjeron që tendenca e rënies së përgjithshme të epidemisë mund të nënkuptojë se “izolimi i qyteteve të tëra, transmetimi i informacionit siç është, promovimi i larjes së duarve, veshja e maskave dhe kujdesi përmes kanaleve të shumta të informimit, dhe mobilizimi shumë-sektorialë për reagimin e shpejtë po ndihmojnë në frenimin e epidemisë”.
Por, autorët thonë gjithashtu se “vendi duhet të përgatitet për rikthimin e mundshëm të epidemisë”, për arsye se shumë njerëz pritet të kthehen nga një pushim i gjatë, shkruan REL.
Pas shpërthimit të virusit, Kina bllokoi qytetin e Vuhanit dhe pjesën tjetër të provincën, si dhe zbatoi kufizime të rënda të udhëtimit për lëvizjet në të gjithë vendin.
Çfarë po ndodh me anijet e lundrimit?
Virusi është përhapur përtej territorit të Kinës në vende të ndryshme të botës dhe dy anije tani konfirmohen se mbajnë udhëtarë të prekur me virus .
Një anije në portin e Japonisë u vu në karantinë, më 3 shkurt, pasi një burrë nga Hong Kongu u testua si pozitiv.
Që atëherë më shumë se 450 nga 3,700 personat në bord janë infektuar që atëherë.
Shtetet e Bashkuara kanë filluar të evakuojnë shtetasit e saj nga anija.
Të martën edhe Koreja e Jugut iu bashkua vendeve që planifikojnë të tërheqin shtetasit e tyre nga anija. Të njëjtën masë e kanë paralajmëruar edhe Kanadaja, Australia, Izraeli dhe Hong Kongu.
Një anije e dytë, MS Westerdam ishte përzënë nga porte të shumta përreth Azisë për shkak të frikës se mund të mbante virusin.
Më në fund ajo u lejua të ndalet në Kamboxhia, pasi asnjë rast me infeksion nuk u gjet në bord.
Pasagjerët u mirëpritën personalisht nga kryeministri Hun Sen. Askush nuk u vendos në karantinë.
Megjithatë ditë më vonë, një grua që kishte qenë në anije u testua pozitive pasi mbërriti në Malajzi.
Tani po bëhen përpjekje të mëdha për të gjetur udhëtarët, të cilët janë zhvendosur në shumë vende të ndryshme, përfshirë Malajzinë dhe Tajlandën, por edhe më tej në SHBA dhe Kanada.
Disa vende kanë thënë se nuk do të pranojnë vizitorë të huaj që ishin në anije.
Koronavirusi shkakton infeksion të rëndë akut të frymëmarrjes dhe simptomat zakonisht fillojnë me ethe dhe kollë të thatë.
Dhjetëra vende të tjera të botës, përfshirë disa në Evropë, kanë raportuar raste me koronavirus.
Aktualisht nuk ka vaksinë për të.