Kryediplomati kinez tha të shtunën gjatë një takimi të grupit G20 në Japoni se Shtetet e Bashkuara janë burimi më i madh i jostabilitetit dhe politikanët amerikanë po e akuzojnë Kinën në tërë botën pa kurrfarë baze.
Marrëdhëniet mes dy ekonomive më të mëdha botërore janë tensionuar për shkak të luftës së ashpër tregtare dhe grindjeve për të drejtat e njeriut në Hong Kong.
Gjatë takimit me ministrin e jashtëm holandez, Stef Blok, këshilltari shtetëror kinez, Wang Yi, nuk i kurseu kritikat ndaj Shteteve të Bashkuara.
“Shtetet e Bashkuara janë angazhuar gjerësisht në njëanshmëri dhe mbrojtje të vetes. Ato po i dëmtojnë sistemin shumëpalësh të tregtisë. Ato tashmë janë bërë faktori më i madh destabilizues në botë”, tha diplomati kinez.
Ai shtoi se Shtetet e bashkuara, për qëllime politike, e kanë përdorur makinerinë shtetërore për t’i shtypur bizneset legjitime kineze dhe i kanë akuzuar ato pa bazë.
Diplomati Yi i akuzoi Shtetet e Bashkuara edhe për ndërhyrje në çështjet e brendshme të Kinës me qëllim të dëmtimit të stabilitetit dhe mirëqenies në Hong Kong, shkruan “Reuters”, transmeton Express.