Kina thotë se Hong Kongu nuk do të jetë kurrë i qetë me protestuesit e dhunshëm

Prishtinë | 06 Maj 2020 | 13:20 | Nga Ekonomia Online

Zyra kineze për marrëdhëniet me Hong Kongun paralajmëroi të mërkurën që qyteti nuk do të jetë asnjëherë i qetë nëse “protestuesit e dhunshëm në të zeza” nuk largohen në tërësi, duke i përshkruar si “virus politik” i cili kërkon pavarësi nga Pekini.

Kjo deklaratë me fjalë të ashpra vjen pas rritjes së brengave nga aktivistë të demokracisë se Kina është duke e shtrënguar ndikimin në këtë ish-koloni britanike, pasi që kufizimi dhe izolimi për shkak infektimeve me koronavirus ka bërë që aktivistët të mbesin brenda shtëpive.

Zyra për marrëdhëniet me Hong Kong dhe Macau paralajmëroi se qeveria qendrore e Kinës nuk do të rijë duarkryq përballë “kësaj dhune të çmendur” dhe se qeveria qendrore e Kinës ka përgjegjësi të madhe në mbajtjen e rendit dhe mbrojtjes së sigurisë kombëtare.

“Veprimet e dhunshme të protestuesve që shkatërrojnë çka ju del përpara është një virus politik në shoqërinë e Hong Kongut dhe një armik i madh i “shtetit me dy sisteme”, deklaroi kjo zyre të mërkurën.

“Deri sa të mos largohen protestuesit, Hong Kongu nuk do të jetë asnjëherë i qetë”, u tha në deklaratë.

Qendra financiare e Azisë në vitin 2019 u shkund nga protesta politike shumë të mëdha, që ndonjëherë ishin edhe të dhunshme, për shkak të një ligji për ekstradim i cili do të lejonte që qytetarët e Hong Kongut të dërgohen në Kinë për gjykime.

Shumë protestues të veshur në zi u përleshen me policinë e Hong Kongut dhe protestat u shndërruan në thirrje më të gjerë për demokraci.

Protestuesit thanë se Pekini po mundohet të shkatërron stilin e qeverisjes “një shtet, dy sisteme” i cili garanton liri të gjera për Hong Kongun që nga kthimi i saj nën sundimin e Kinës në vitin 1997.

Pekini refuzon se është duke u munduar të kufizojë liritë e këtij qyteti.

Policia e Hong Kongut shpërndau një turmë prej 300 aktivistëve pro-demokraci në fund të muajit të kaluar, protesta e parë që nga ndalimi i mbledhjeve në publik që hyri në fuqi në fund të marsit për të ndaluar përhapjen e infektimeve me koronavirus.

Arrestimi i 15 aktivistëve politikë në prill, ku u përfshinë edhe politikanë veteranë, një publicist dhe disa avokatë , e ktheu lëvizjen e protestave sërish në vëmendje dhe tërhoqi kritika nga Washingtoni dhe grupet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Frikët që Pekini po e shtrëngon dorën në Hong Kong rrezikon ndezjen e protestave anti qeveritare pas muajve të qetësisë relative, për shkak të rregullave të distancimit social për të zvogëluar përhapjen e virusit., shkruan agjencia e lajmeve Reuters.

Të ngjashme