Kinematë vendore nën hijen e pandemisë shpresojnë për një vit të mbarë

Prishtinë | 09 Jan 2021 | 09:52 | Nga Ekonomia Online

Mbyllja e dyerve për disa muaj, numri i kufizuar i publikut si masë për parandalimin e koronavirusit, frika e shikuesve për t’u rikthyer në kinema, moslansimi i hiteve, janë vetëm disa nga arsyet që kanë ndikuar në numrin e vogël të shikuesve.

Disa, më 2020, s’e kanë arritur as gjysmën e shikuesve të vitit paraprak.

Në pranverën e vitit të kaluar, kur u shfaq koronavirusi, kinematë vendore mbyllën dyert ashtu sikurse gati të gjitha institucionet kulturore në vend e në botë. Njerëzit e karantinuar nëpër shtëpi, zgjodhën platformat e ndryshme online për të shikuar filma. Kompanitë më të mëdha të produksionit anuluan premierat e projekteve filmike që ishin menduar të jenë hite të 2020-s.

Pyetja e të gjithëve ishte se kur do të hapeshin dyert e kinemave. Apo, cili do të ishte filmi që do të rikthente publikun në kinema? “Wonder Woman 1984”, nën regji të Patty Jenkins, “No Time To Die”, nën regji të Cary Joji Fukunaga – e që ende nuk është lansuar – “Tenet”, nën regji të Christopher Nolan dhe “Mulan”, nën regji të Niki Caros, ishin disa prej atyre që supozoheshin se do t’i bënin njerëzit që të ndiheshin të sigurt për t’u rikthyer para ekranit. Diçka e tillë nuk ndodhi. Të paktën, jo në Kosovë.

As gjysma e shikuesve

Kinematë, në vitin 2020, janë përballur me numrin me të vogël si kurrë më parë. “Cineplexxi” në vitin që lamë pas pati një numër shumë të vogël të vizitorëve, e shifrat nuk janë të mira as për “Kino ABC”. E “DokuKino” është duke e rimenduar plotësisht mënyrën e funksionimit për këtë vit.

Menaxherja e “DokuKinos”, Valtida Shukriu, në një bisedë për KOHËN, ka treguar se kinemaja tek në fillimjavë i ka hapur dyert për publikun, që kur u mbyll në mars të vitit të kaluar për shkak të pandemisë.

“Jemi jashtëzakonisht të lumtur që po e rihapim kinemanë tonë ‘DokuKino’. Na emocionon fakti që do të ndezim ekranin tonë dhe përsëri do të jemi afër publikut”, ka thënë ajo. Ka treguar se këtë vit do të vijnë me një program plotësisht ndryshe prej viteve të kaluara.

“Pasi që ‘DokuKino’ nuk është më kinemaja e vetme në Prizren, ne e kemi rimenduar mënyrën e funksionimit. Këtë vit do të sjellim shfaqje të rregullta të filmave dokumentarë të distribuuar në Kosovë nga ‘DokuFest’ dhe do të shfaqim filma edukativë të përzgjedhur nga ‘Why Foundation’ nga Danimarka”, ka thënë ajo. Ka shtuar se shpresojnë që këtë vit të kenë më shumë vizitorë.

“Bright side”, nën regji të Vlera Danit, qe dokumentari i shkurtër me të cilin kjo kinema iu rikthye shikueseve. Edhe regjisorja ishte e pranishme në shfaqjen e veprës së saj. “DokuKino”, pos rihapjes me këtë film shënoi Ditën Botërore të Brailit.

Edhe “Kino ABC” në Prishtinë tashmë ka përzgjedhur filmat e sezonit. Të enjten, kinemaja në qendër të kryeqytetit ka shfaqur “Come Away”, nën regji të Brenda Chapman. Filmi i mbushur me aventura dhe fantazi ka në fokus Piterin dhe Lizën, vëlla dhe motër, të cilët udhëtojnë nëpër “Wonderland” dhe “Neverland”. E së shpejti do të shfaqet edhe filmi “Soul” nga “Disney” nën regji të Pete Docter. Por edhe pse “Kino ABC” po mban ritmin me lansimet e Hollywoodit, që u godit rëndë nga koroanvirusi, numri i vizitorëve ka rënë dukshëm.

Avni Dobraj, menaxher i marketingut në “Kino ABC”, ka thënë se në vitin 2019 kishin rreth 20 mijë vizitorë. Vitin 2020 e kanë mbyllur me krejt pak vizitorë.

“Nuk kemi pasur as gjysmën e vizitorëve krahasuar me vitin 2019. Njerëzit akoma po kanë frikë që të kthen në kinema. Ne jemi duke mbajtur programin si çdo herë. Po mundohemi që të sjellim filmat më të rinj, por njerëzit siç duket po ngurrojnë që të vijnë”, ka thënë ai.

Shifrat nuk janë të kënaqshme as për “Cineplexx” në Prishtinë e Prizren, që mbyllën dyert më 13 mars, kur u shfaqen rastet e para, dhe u rihap në tetor të vitit 2020.

Humbja e ritmit

Artan Ramadani, menaxher i marketingut në “Cineplexx”, ka thënë se kjo periudhë kaq e gjatë e mbylljes ndikoi në numrat e vizitorëve, por edhe në perceptimin e njerëzve mbi të shkuarit në kinema.

“Pak a shumë, situata e pandemisë e ndryshoi edhe sjelljen e njerëzve karshi të tjerëve dhe aktiviteteve të përditshme. Kinemaja punoi me orar të shkurtuar edhe pas hapjes se saj, duke qëndruar e hapur vetëm deri në orën 21:00, për një periudhë. Pastaj, ndryshimi i masave bëri që të ndryshojë orari i punës së kinemasë disa herë, sepse masat ndikonin në orarin e punës së bizneseve, por edhe në lëvizjet e qytetareve”, ka thënë Ramadani. Sipas tij, numri i vizitorëve për vitin 2020 ka rënë në mënyrë drastike.

“Në vitin 2019, në kinematë ‘Cineplexx’ në Prishtinë dhe Prizren i pritëm gjithsej 408 mijë vizitorë, (të keni parasysh që kinemaja ne Prizren u hap më 14 shtator, pra vetëm 3 muaj e gjysme pune hyjnë në totalin e vizitoreve për të dy kinematë), ndërsa gjatë vitit 2020, numri total i vizitorëve në të dy kinematë ishte 146 mijë e 500”, ka thënë ai.

Sipas Ramadanit, ndikim mund të kenë pasur edhe prurjet e filmave.

“Përpos filmit ‘Tenet’, nuk kemi pasur ndonjë titull tjetër të madh filmik. Shumica e filmave të ardhur kanë qenë evropianë, filma të pavarur, dhe jo me buxhet të madh dhe emra të mëdhenj, shkaku që studiot më të mëdha vendosën që t’i shtyjnë datat e të gjitha premierave të mëdha botërore”, ka thënë Ramadani. Ka shtuar se së fundi në kinematë e tyre – në Prizren dhe Prishtinë – ka nisur të shfaqet edhe filmi “Wonder Woman 1984”.

“Warner Bros” ka raportuar se “Wonder Woman 1984” ka arritur të arkëtojë 16.7 milionë dollarë gjatë tri javëve të festave të fundvitit. Kjo është shitja më e madhe që nga rihapja e kinemave. “Tenet” mblodhi rreth 10 milionë. Por, duke marrë parasysh numrin e kufizuar të publikut nëpër kinema dhe faktin se jo të gjitha kinematë kanë punuar dhe se “Wonder Woman 1984” është shfaqur edhe në platforma online, shitjet mund të ishin më të mëdha. Në anën tjetër, sikur situata të ishte normale, këta dy filma, por edhe të tjerët do të kishin më shumë konkurrentë. Por, këto janë thjesht hipoteza. E vërteta është se nuk dihet sesi situata do të ishte pa virusin SARS-CoV-2, që shënjoi vitin 2020. E dukshme është rënia e numrit të vizitorëve nëpër kinema, për shkak të tij.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme