Komuna e Prishtinës ka njoftuar se objekti i “Kino Rinia” i është rikthyer në menaxhim Kryeqytetit pas shumë vitesh.
Pas një pune disamujore të Drejtorisë së Pronës, e cila ka siguruar dokumentacionin e duhur dhe ka bërë verifikimin e tij, Agjencia Kosovare e Privatizimit në mbledhjen e djeshme të Bordit ka votuar pro kërkesës së Komunës së Prishtinës për rikthimin e kësaj kinemaje nën menaxhimin e Kryeqytetit, ka njoftuar Komuna e Prishtinës.
“Kjo, pasi kemi vërtetuar nga Arkivat Komunale e Ndërkomunale që ky objekt është pronë e Komunës së Prishtinës, dhe se deri tash, padrejtësisht është menaxhuar si ndërmarrje shoqërore nga AKP”, theksohet në njoftim.
Njoftimi mund të gjendet dhe në faqen zyrtare të AKP-së.
Kino Rinia rrezikohej të shndërrohej në market dhe parking
Organizatat “Shtatëmbëdhjetë” dhe “CHwB Kosova”, para dy vitesh kishin alarmuar se Kino Rinia, e cila ndodhet në qendër të Prishtinës, afër Qafës, po rrezikohej të kthehej në market, dhe lobuan që ajo të futej në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme.
Në qershor të 2020-ës, kur Kino Rinia po rrezikohej të kthehej në market, organizata të kulturës në bashkëpunim me institucionet arritën që të ndalojnë ri-destinimin e kinemasë në market.
Edhe pse është përdorur si kinema për më shumë se gjysmë shekulli, më nuk e mban këtë funksion ku filmat projektohen.
Ndërtesa është e pozicionuar në zemër të qytetit, mirëpo për pothuajse 20 vite tani është braktisur dhe nuk përdoret për këtë qëllim.
Objekti i ndërtuar në fillim të viteve ’50 për katër dekada pati rolin e një prej hapësirave kryesore kulturore në kryeqytet duke bërë bashkë filmbërës e filmdashës, duke inspiruar gjenerata të tëra për filmin dhe përtej. Kino Rinia 1 dhe Kino Rinia 2, bashkë me kinemanë verore akomodoi qindra shikues në ditë, me shfaqje të filmave vendor, rajonal e botëror.
Vlera e këtij objekti shkon përtej filmit, duke u cilësuar si ‘strehim’ , ‘ikje nga përditshmëria’ dhe ‘udhëtim në botë’, nga shumë prej atyre që frekuentuan rregullisht kinemanë, sidomos në vitet 60 e 70, por edhe më vonë.
Po ashtu edhe një pjesë shumë e rëndësishme është roli që pati në procese të ndryshme shoqërore.
Kino Rinia 1 me 800 ulëse akomodoi edhe dashamirës të muzikës që ndoqën festivale e koncerte të cilat zunë vend aty.
Duke parë vlerën kulturore e shoqërore të këtij kësaj kinemaje dhe mundësinë e fundit të shpëtimit të kinemasë nga privatizimi e kthimi në market apo parking, Shtatëmbëdhjetë dhe CHwB Kosova përpiluan dosjen e Kino Rinisë për futje në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme. Kërkesë kjo e cila u pranua nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe u arrit që edhe Kino Rinia të merr statusin e njëjtë sikur dy kinematë e tjera “Lumbardhi” në Prizren dhe “Jusuf Gërvalla” në Pejë. Të tri këto kinema janë ndërtuar periudhën e njëjtë dhe që të tria janë shpëtuar falë iniciativave të komunitetit në përgjithësi.