Forca e Sigurisë më e besueshmja për qytetarët e Kosovës

Prishtinë | 27 Dhj 2016 | 11:57 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Forca e Sigurisë së Kosovës, (FSK) vazhdon të mbetet institucioni më i besueshëm për qytetarët e vendit, e pasuar nga Policia e Kosovës. Ndërsa, presidenti, kryeministri dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës mbesin institucionet që më së paku iu besojnë qytetarët.

Kjo u bë e ditur sot në promovimin e numrit të pestë të vëllimit të parë të Observerit të Sektorit të Sigurisë së Kosovës të zhvilluar nga Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) e ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve të vendit, kryesisht të fushës së sigurisë.

Mentor Agani hulumtues në KIPRED tha se nga qytetarët e anketuar kanë pasur mundësi që nivelin e besimit që e kanë në institucionet apo krerët institucional ta shprehin me numra dhe atë nga numri 1 deri në 5, ku me 1 vlerësohet niveli më i ulët i besimit, ndërkaq me 5 më i larti.

Ai ka treguar se besimi në FSK dhe Policinë e Kosovës është rritur, ndërsa besueshmëria tek krerët e këtyre institucioneve vazhdon të mbetet e ultë.

Po ashtu ai tha se besimi i qytetarëve në institucionet ekzekutive të sektorit të inteligjencës është në nivelin më të ultë.

“Sa i përket besimit të përgjithshëm ndër muaj të qytetarëve të Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës e gëzon besimin më të madh të qytetarëve. Edhe te shqiptarët në veri të Kosovës, besimi më i madh vazhdon të jetë në Forcën e Sigurisë së Kosovës”, i pasuar nga Policia e Kosovës”.

Sipas këtij hulumtimi, besimin më të lartë të qytetarëve sa i përket çështjes së sigurisë e ka FSK 3.91, ndërsa Policia 3.81.

Vlerat më të ulta të besueshmërisë sa i përket çështjeve të sigurisë janë te Kryeministri 2.43, te Komisioni parlamentar për Inteligjencë 2.52. Ministri i Punëve të Brendshme 2.61 dhe drejtori i Agjencisë se inteligjencës Kosovës 2.61, por edhe Presidenti 2.68.

Të ngjashme