Kisha Ortodokse Serbe njeh Kishën Ortodokse Maqedonase

Prishtinë | 24 Maj 2022 | 14:15 | Nga Ekonomia Online

Kisha Ortodokse Serbe ka njoftuar të martën për vendimin për njohjen e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Maqedonase. Kjo u bë e ditur nga kreu i Kishës Ortodokse Serbe, patriarku Porfirio, në liturgjinë e përbashkët ndërmjet dy kishave që u mbajt në Shkup.

Ai tha se pas kompletimit të dokumenteve ligjore, do të përgatitet një akt zyrtar me të cilin do të njoftohen të gjitha kishat e tjera kanunore ortodokse.


Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirio, pret që të gjitha kishat lokale të pranojnë statusin autoqefal të Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopatës së Ohrit.

“Jemi të sigurt se edhe kishat e tjera lokale do ta mirëpresin Autoqefalinë e Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopatës së Ohrit”, tha patriarku Porfirio.

Liturgjia u mbajt në ditën e shenjtorëve sllavë, Kiril dhe Metodi.

Kryepeshkopi i Ohrit dhe Maqedonisë, Stefani, falënderoi anëtarët e Sinodit të Shenjtë të Ipeshkvijve të Kishës Ortodokse Serbe për njohjen e autoqefalisë së Kishës Ortodokse Serbe.

Liturgjia e përbashkët ishe vazhdimësi e forcimit të marrëdhënieve ndërmjet dy kishave, e cila nisi të enjten e kaluar në kishën Shën Sava në Beograd.

Vendim i Kishës Ortodokse Serbe pasoi vendimin e 9 majit të Patriarkanës Ekumenike në Stamboll, e cila njohu Arqipeshkvinë e Ohrit si kanonike apo të pavarur.

Të dyja kishat, ajo serbe dhe maqedonase ndodhen në një kontest që ka zgjatur rreth 55 vjet, pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kishës Ortodokse Maqedonase, në vitin 1967, por autoqefalia e kësaj kishe nuk është njohur nga asnjë kishë lokale apo në rajon.

Të ngjashme