Kjo është pasuria e kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Prishtinë | 18 Qer 2022 | 15:39 | Nga Ekonomia Online

Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) ka publikuar deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik.

Në deklarimin e pasurisë në AKK, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, ka deklaruar se krahas punës së tij si kryesues i KGJK-së, ai është edhe profesor në kolegjin AAB, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Si të hyra vjetore, Zogaj ka deklaruar gjithsej 54,033 euro. Si kryesues i KGJK-së, Zogaj ka deklaruar se gjatë vitit 2021 ka pranuar 31,816.51 euro, 6,740.88 i ka pranuar si ligjërues në kolegjin AAB, 3,827.73 i ka pranuar si kompensim për pjesëmarrje në trajnime dhe nga Akademia e Drejtësisë dhe INJECT dhe 4,500 nga shitja e veturës.

Ndërsa, ai ka deklaruar se bashkëshortja e tij ka pranuar 5,347.47 euro nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Obiliqit dhe 1800 euro qira nga banesa.

Sa i përket paluajtshmërive, Zogaj ka deklaruar një shtëpi 351.27 m2, në vlerë prej 140,000 euro dhe një banesë 38 m2, në vlerë prej 35,000 euro, këto si pasuri të përbashkëta familjare.

Nga detyrimet financiare, Zogaj ka deklaruar se ka një kredi në shumën prej 73,000 euro.

Në deklarimin e pasurisë, Zogaj ka deklaruar një veturë “Vitara” të bashkëshortes së tij, në vlerën prej 12,000 euro, të blerë me kredi.

Të ngjashme