Kjo është pasuria e kryetarëve të shtatë komunave më të mëdha të vendit

Prishtinë | 21 Nën 2021 | 15:10 | Nga Ekonomia Online

Në dy raunde të zgjedhjeve, qytetarët e vendit kanë votuar se kush do t’i udhëheq ata në katër vitet e ardhshme.

Në disa nga komunat janë rizgjedhur kryetarët akualë dhe në disa ka pasur edhe ndryshime.

Klankosova.tv ka bërë një përmbledhje për pasurinë e kryetarëve të shtatë qyteteve më të mëdha.

Kryetari i zgjedhur i Prishtinës Përparim Rama, ka deklaruar në një intervistë se ka 11 prona nëpër botë që e kapin vlerën e 11 milionë funtave apo 13 milionë eurove.

Rama tha se nga to, ka borxhe në vlerë prej 6 milionë funteve apo 7 milionë eurove.

Mitrovicën për katër vitet e ardhshme do ta udhëheqë Bedri Hamza, i Partisë Demokratike të Kosovës.

Hamza ka mbajtur disa pozita të rëndësishme si Ministër i Financave, Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës e pozita të tjera.

Sipas deklarimit të pasurisë në Agjencinë kundër Korrupsionit, Hamza ka pasuri të paluajtshme në vlerë 263 mijë euro.

Në emër të tij ka të deklaruara dy banesa, njëra me vlerë 46 mijë euro e tjetra 70 mijë, si dhe garazhën në vlerë 8 mijë euro.

Te kjo kategori ai ka listuar edhe banesën e bashkëshortes në vlerë 39 mijë euro dhe një tokë pune në vlerë 100 mijë euro, që thotë se është në pronësi të përbashkët.

Tek pasuritë e luajtshme, Hamza ka deklaruar veturën e tij 27 mijë euroshe dhe atë të bashkëshortes në vlerë 10 mijë euro.

Vlera e parave të gatshme që ka në banka familja Hamza sillet rreth 10 mijë e 200 euro, prej të cilave 8 mijë e 500 janë të tijat.

Por, Bedri Hamza ka edhe borxhe.

Vetëm ai ka detyrime financiare në vlerë 27 mijë euro, derisa gruaja e tij ka borxh në vlerë 25 mijë euro.

Si të hyra vjetore, ai ka deklaruar rreth 35 mijë euro, që thotë se i merr nga Kuvendi dhe një kolegj privat. Kurse bashkëshortja e tij ka të hyra vjetore mbi 7 mijë euro.

Në fund të deklarimit, Hamza ka treguar edhe se ka tërhequr nga Trusti rreth 10 mijë euro.

Kryetar të ri zgjodhën qytetarët e Gjilanit.

Ata për së paku një mandat do t’i udhëheq Alban Hyseni, i Lëvizjes Vetëvendosje.

Pasurinë e ka deklaruar në Agjencinë kundër Korrupsion sa ishte deputet i Kuvendit të Kosovës.

Hyseni ka një pasuri të përbashkët familjare rreth gjysmë milioni euro pasuri të paluajtshme.

Ai ka deklaruar shtëpi, toka e vikendicë.

Në emër të tij sipas AKK ai ka vetëm një tokë në vlerë 3 mijë e 500 euro.

Kryetari i zgjedhur i Gjilanit ka një veturë që kushton 2 mijë e 200 euro.

Po ashtu ai ka deklaruar një veturë në pronësi të përbashkët në vlerë 8 mijë e 500 euro.

Alban Hyseni ka deklaruar se nuk ka para të gatshme në bankë, por vlera e obligimeve financiare sillet rreth 7 mijë e 500 euro.

Hyseni thotë se të hyrat e tij vjetore janë afër 22 mijë euro, kurse të babait sillen rreth 29 mijë euro.

Në krye të Ferizajt edhe për një mandat u konfirmua Agim Aliu, i Partisë Demokratike të Kosovës.

Aliu në AKK ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë prej 375 mijë euro.

Aty hyjnë një shtëpi banimi, dy troje, një tokë bujqësore dhe mali.

Aliu ka një veturë që thotë se kushton 4 mijë e 500 euro, kurse bashkëshortja një në vlerë 1 mijë e 500 euro.

Ai ka deklaruar se në banka ka para të gatshme në vlerë prej 57 mijë eurosh, derisa bashkëshortja e tij i ka 3 mijë e 200 euro.

Agim Aliu nuk ka borxhe sipas deklarimit të pasurisë.

Rreth 16 mijë euro janë të hyrat vjetore të tij, derisa gruaja e tij ka të hyra vjetore në vlerë prej 5 mijë euro.

E edhe për një mandat në krye të Gjakovës do të jetë edhe Ardian Gjini i AAK-së.

Gjini në formularët e Agjencisë kundër Korrupsion ka deklaruar pasuri të paluajtshme të përbashkët në vlerë prej 420 mijë eurosh.

Gjini i ka dy vetura.

Njëra kushton 16 mijë euro, ndërsa tjetra 2 mijë euro.

Nëpër banka, i ka mbi 15 mijë euro para të gatshme.

Po aq sillen edhe detyrimet e tij financiare.

Të ardhura vjetore ka në vlerë afër 15 mijë euro, e bashkëshortja e tij merr afër 10 mijë euro në vit.

Gazmend Muhaxheri i LDK-së do ta drejtojë komunën e Pejës edhe për një mandat.

Muhaxheri në Anti-Korrupsion ka deklaruar se ka katër shtëpi në shuma të ndryshme.

Njëra 450 mijë euro, tjetra 225 mijë, një tjetër 600 mijë e një shtëpi me tokë që ka vlerën e 40 mijë eurove ia bëjnë Muhaxherit vlerën totale të shtëpive në pronësi të tij në 1 milion e 345 mijë eurosh.

Ai gjithashtu posedon tokë në vlerë gati 1 milionë euro.

Një parcelë prej 1 mijë e 395 metrash katrorë Muhaxherit ia kapë vlerën e 750 mijë eurove, ndërsa një tokë në Xavërr ia kapë vlerën e 20 mijë e 950 eurove.

Po ashtu ka gjithashtu tokë në Gllaviçicë me vlerë prej 25 mijë eurove.

Të tri këto parcela kapin vlerën e 800 mijë eurove.

Në posedim ka edhe një objekt prej 138 mijë eurove.

Të gjitha këto prona janë në emër të tij ose trashëgim nga prindi i tij.

Gazmend Muhaxheri gjithashtu ka deklaruar një veturë në vlerë 17 mijë euro ne emër të bashkëshortes.

Po ashtu kryetari tashmë i zgjedhur i Pejës ka edhe borxhe.

Ai ka marrë kredi për ndërtim në vlerë prej 80 mijë eurove me kohëzgjatje pesëvjeçare, derisa gruaja e tij ka marrë kredi prej 17 mijë eurove për blerjen e veturës.

Të ardhurat mujore, Gazmend Muhaxheri i ka goxha të mira.

Ai merr pagë 15 mijë e 11 euro e 52 cent nga buxheti i Komunës së Pejës ku ushtron detyrën si kryetar, ndërsa bashkëshortja e tij merr pagë 15 mijë e 396 euro nga Universiteti i Prishtinës.

Po ashtu Muhaxheri ka të hyra nga qeraja.

Ai fiton 33 mijë e 600 euro nga qeraja.

Ka deklaruar po ashtu se ka tërhequr 10 përqindëshin e Trustit në vlerë prej 3 mijë e 200 eurosh.

Derisa komuna e Prizrenit tashmë ka një kryetar të ri.

Shaqir Totaj, nga Partia Demokratike e Kosovës do ta drejtojë këtë komunë për një mandat.

Në bazë të të dhënave që Klankosova.tv ka gjetur në Agjencinë Anti-Korrupsion, Totaj ka mbajtur edhe pozita të tjera si atë të drejtorit regjional të Administratës Tatimore të Kosovës dhe atë të nënkryetarit të Federatës së Basketbollit të Kosovës.

Ai në deklarimin e pasurisë që ka bërë në vitin 2019-të, ka një pasuri të paluajtshme në vlerë prej 1 milion eurosh.

Totaj po ashtu në bazë të deklarimit të bërë në atë kohë ka thënë se posedon dy vetura një në emër të tij dhe një në emër të fëmijëve, të cilat i ka në vlerë prej 13 mijë eurosh.

Tashmë kryetari i ri i Prizrenit të hyra vjetore ka deklaruar se i ka 25 mijë euro nga qeraja dhe kishte marrë 10 mijë euro nga pagë nga ATK-ja derisa ai ishte në krye të këtij institucioni në Prizren.

Ai theksoi se ka të hyra vjetore 7 mijë e 200 euro në emër të fëmijëve të punësuar në Agjensionin “Republika”.

Shaqir Totaj ka deklaruar se gëzon një pension nga Qeveria e Kosovës në vlerë prej 1 mijë e 80 eurosh në vit.

Totaj ka thënë se punën në Federatën e Basketbollit e bën në mënyrë vullnetare, pra nuk gjeneron të hyra nga ky aktivitet.

Nuk dihet nëse ka të dhëna të tjera rreth pasurisë së kryetarit të ri të Prizrenit.

Deklarimin pranë AKK-së ai e ka bërë në vitin 2019-të.

Të ngjashme