Përderisa pritet thirrja për konsultime nga ana e presidentit të vendit për dalje nga situata e krijuar politike, Lëvizja Vetëvendosje paralajmëron se shumë shpejt do të iniciojë shpërbërjen e Kuvendit.
Nisma e tillë nuk përjashtohet gjatë kësaj jave, ani pse ata duan të respektojnë edhe procesin e zgjedhjeve të brendshme në LDK, që mbahen këtë fundjavë.
Në rast se ka vonesa nga ana e presidentit për fillim të konsultave me partitë politike, për tejkalimin e kësaj situate, atëherë Vetëvendosje do të iniciojë shpërbërjen e Kuvendit dhe vendi të shkojë në zgjedhje. Rexhep Selimi, deputet i Vetëvendosjes, i tha Radio Kosovës se e rëndësishme është gatishmëria e partive politike për shkuarje në zgjedhje.
“Atëherë, nëse të gjitha partitë politike janë deklaruar për zgjedhje, pse të mos shkojmë me shpërbërjen e Parlamentit dhe krijimin e situatës për zgjedhje të reja sa më shpejt. Por në anën tjetër është edhe një subjekt tjetër politik i cili ka zhvillime të brendshme, ndoshta po supozoj dhe po mendoj personalisht se ishte dashur ta presim edhe reagimin e tyre, sepse ata në fund të kësaj jave kanë zgjedhje”, tha ai.
Por, pavarësisht zgjedhjeve të brendshme në LDK, inicimi për shpërbërje të Kuvendit mund të ndodhë edhe para 3 gushtit, thotë Selimi:
“Po mundet edhe para 3 gushtit, ne nuk e përjashtojmë, por në ditët në vijim ne do ta bëjmë një gjë të tillë”, tha ai.
E nga LDK-ja nuk u deklarua askush rreth idesë për shpërbërjen e Kuvendit, përderisa nënkryetari i AAK-së,Ahmet Isufi, i tha Radio Kosovës se janë të gatshëm për një gjë të tillë, ani pse beson se edhe konsultat do të fillojnë së shpejti:
“Jemi të gatshëm që të deklarohemi për shpërbërjen e kuvendit, sepse situata e krijuar kërkon urgjencë për ndryshimin e gjendjes”, tha ai.
Kurse Shqipe Pantina, nga PSD-ja, tha se Lëvizje Vetëvendosje tash një vit flet për shkarkim të qeverisë, por asnjëherë nuk e ka ndërmarrë një nismë të tillë. Ajo i tha Radio Kosovës se po presin nëse do të ketë thirrje për konsulta nga ana e presidentit, në të kundërtën do të shkojnë me shpërbërje të Kuvendit:
“Ne nuk jemi për deklarata populiste e pompoze, kur e dimë që nuk janë të realizueshme, ne po presim presidentin nëse ai do ta arrijë një pajtueshmëri fillimisht me partitë e koalicionit PAN, sepse ata e kanë të drejtën për të prezantuar edhe një kandidat të ri, edhe pse është vështirë që të gjendet votëbesimi, përveç nëse AAK dhe Lista Serbe pajtohen, nëse jo, ne, edhe në koordinim me subjektet e tjera në Kuvend, besoj se do ta arrijmë pajtueshmërinë dhe ta çojmë vendin në zgjedhje sa më parë”, tha ajo.
E kjo javë shihet si përcaktuese, nëse do të ketë konsulta me presidentin, apo deputetët me dy të tretat e votave, ta shpërbëjnë Kuvendin, në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pas dorëheqjes së Haradinajt.