Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Arianit Elshani, ka thënë se nuk ka asnjë udhëzim që KQZ-ja u ka dhënë KKZ-ve për moslejimin e xhirimit brenda qendrave të votimit, dhe se mediave u lejohet xhirimi deri te kabinat e votimit.
Ishte gazetarja e Dukagjinit, Anduena Bajqinofci, e cila raportoi se nuk iu lejua transmetimi brenda pikave të votimit, ndërsa nga jashtë lejohej me 5 metra distancë nga qendra.
Në një edicion special informativ të RTV Dukagjinit për zgjedhjet në veri, Elshani ka thënë se një gjë e tillë është e papranueshme.
“Ajo që po ndodh është tërësisht e papranueshme, është në kundërshtim me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe në kundërshtim me rregullën që përcakton çështjen e monitorimit nga ana e vëzhguesëve medialë të mediave, sepse të gjithëve u lejohet hyrja, dhe në këtë rast, mediave që të marrin pamjet e vendvotimit…Nuk ka udhëzim që KQZ-ja u ka dhënë KKZ-ve, tërisht e pavërtetë dhe e papranueshme”, ka thënë ai.
Ndër të tjera, Elshani ka thënë se mediave u lejohet të marrin pamje deri te kabina e votimit.