Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar që të jenë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi publicistin Veton Surroi, si dhe ish-koordinatorin politik në bisedimet me Beogradin në Bruksel, Blerim Shalën.
Kështu ka mësuar Klan Kosova, ndonëse ka thënë se nuk është konkretizuar asgjë lidhur me këtë çështje.
Mediumi ka marrë vesh se Kurti ka mbajtur vetëm një takim me të dy akterët, teksa thotë se për të qenë pjesë e dialogut janë kontaktuar edhe disa ish-diplomatë kosovarë.
Blerim Shala ka mbajtur pozitën e koordinatorit politik nga fundi i vitit 2012. Që nga atëherë, ai ishte pjesë e bisedimeve me Beogradin, të zhvilluara në Bruksel, pranë Hashim Thaçit.
Veton Surroi asnjëherë nuk u përfshi në këtë proces, por vazhdimisht e ka kritikuar qasjen e Kosovës në bisedimet me Serbinë.
Me këtë të fundit, Kurti u pati takuar përpara se të votohej qeveria e tij, në kuadër të një bashkëbisedimi të zhvilluar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) lidhur me çështjet e dialogut.
Duke prezantuar një listë rekomandimesh për qeverinë Kurti, Surroi theksoi se karakteristika e parë e procesit të deritanishëm të dialogut ishte pamjaftueshmëria.
“Nuk ekziston asnjë ndryshim strukturor e në permisë, që bën procesin të kalojë atë pragun e pamjaftueshmërisë, e kjo natyrisht se jo vetëm që i jep të drejtë por edhe obligim Qeverisë së ardhshme dhe pjesëve të shoqërisë që duan të ndihmojnë këtë proces që të bëjnë rivlerësimin e procesit dhe marrëveshjeve në mënyrë që të bëhet përparimi i këtij procesi, që të kalohet ai prag, natyrisht gjithnjë brenda këtij mandati që e ka BE si lehtësuese e procesit,” deklaronte ai në këtë bashkëbisedim.