Numër të madh të nxënësve vazhdojnë të mësojnë brenda një klase në shkollën fillore “Mihal Grameno” në Fushë-Kosovë. Në 20 klasa në këtë shkollë numri ka shkuar në 45-46 nxënës. Ndërkohë që edhe të tjerat nuk janë më pak se 40.
Drejtori për Arsim në këtë komunë, Islam Shabani, thotë se ardhja e nxënësve në këtë pjesë të qytetit (lagjja “Dardania”) është shumë i madh. Sipas tij, vetëm në shtatorin që e lamë pas kanë ardhur më shumë se 500 nxënës të rinj. Shabani thotë se numri i madh i nxënësve po e dëmton cilësinë e mësimit, shkruan sot Koha Ditore.
“Nga 45-46 nxënës janë mbi 20 klasë në shkollën ‘Mihal Grameno’. Të tjerat klasë janë 40-42, pra veç e kanë kaluar 40 numrin e nxënësve në ‘Milhal Grameno’. Na po flasim për pjesën më të dendur ( të qytetit v.j.)… Në ‘Mihal Grameno’ e kemi këtë telash, se në dy shkollat e tjera të qytetit në ‘Selman Riza’ dhe ‘Daut Bogujevci’ ende nuk e kam atë krtikë, ka shkuar deri në 40, po jo mbi 40. Po nuk do të thotë se nuk bëhet edhe vitin e ardhshëm edhe në shkolla të tjera. Sepse po vijon migrimi i madh”, ka thënë Islam Shabani.
“Ajo dihet, nuk është njësoj, standardi është 32-35 nxënës, na veç e kemi kaluar për 10 nxënës në klasa. Dihet që ka probleme në mësimnxënie, ka probleme edhe në mësimdhënie nga ana e arsimtarëve, se ndryshe është me punua me 45 nxënës. Më së shumti dëmtohet cilësia e mësimit, po nuk po kemi rrugdalje tjetër”.
Në muajin shtator ka qenë si pikë e rendit të ditës propozimi për ndërtimin e një shkolle në këtë komunë. Por, e njëjta nuk ishte hedhur në votim, pasi kishte pasur vërejtje nga opozita për moskompletim të materialit. Për këtë është pajtuar edhe drejtori për Arsim. Ai i ka thënë gazetës se kjo çështje ka mbetur të vijë sërish në Kuvendin Komunal në këtë muaj.