Besimi i bizneseve gjermanë ka mbetur i qëndrueshëm gjatë muajit maj, pas rënies për 5 muaj radhazi, duke treguar se ndjesia e ekzekutivëve në ekonominë më të madhe të Europës është pozitive, pavarësisht mundësisë së një lufte tregtare.
Instituti i hulumtimeve mbi ekonominë, IFO, bëri të ditur se indeksi i klimës së biznesit mbeti i qëndrueshëm në 102.2 pikë, pak sipër projeksioneve të analistëve.
Sipas analistëve të institutit, ekonomia e brendshme, kryesisht tregtia, ndërtimi dhe shërbimet, ishin faktorët që sollën stabilizimin ndërkohë që nuk kishte ndonjë optimizëm për eksportet. Megjithatë, trendi rënës i treguesit mbi bizneset nuk ka përfunduar ende.
Sipas analistëve, mundësia e tarifave në importe për automjetet nga Shtetet e Bashkuara si dhe shqetësimet mbi qeverinë e re italiane, pritet të ndikojnë në sondazhet e muajve të ardhshëm.
Gjermania, që është një vend i madh eksportues, përballet me një serë rreziqesh, përfshirë tarifat e SHBA për çelikun dhe aluminin dhe mundësia e sanksioneve për firmat vendase që bëjnë biznes me Iranin, ndërkohë që Amerika u tërhoq nga pakti bërthamor.
Të dhëna të tjera gjatë kohëve të fundit kanë formuar një panoramë negative, ndërkohë që rritja ekonomike është ngadalësuar dhe ndjesia e investitorëve dhe konsumatorëve është përkeqësuar.