Klinika Infektive jep detaje për gjendjen e foshnjës dhe nënës së infektuar me Coronavirus

Prishtinë | 04 Pri 2020 | 13:48 | Nga Ekonomia Online

Me simptoma të temperaturës dhe bark qitjes, të enjten në mesditë, është përcjellë për në Klinikën Infektive të QKUK-së, foshnja pesëmuajshe nga fshati Topanicë i Kamenicës,  e cila rezultoi e infektuar me Coronavirus. Për gjendjen e saj dhe të nënës kanë dhënë detaje nga Klinika Infektive.

Infektologu Salih Ahmeti ka thënë se gjendja e foshnjës dhe nënës është e mirë.

“Gjendja edhe e foshnjës edhe e nënës aktualisht është e mirë. Nuk kanë pasur ndonjë shqetësim”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti ka dhënë detaje edhe për gjendjen e pacientëve të tjerë. Ai u ka bërë apel të gjithë qytetarëve, sidomos atyre me hemodializë që t’i respektojnë udhëzimet për distancë dhe izolim.

 “43 pacientë me koronavirus i kemi të shtirë në infektivë. Gjashtë prej tyre janë në gjendje të rëndë. Katër prej tyre kanë gjendje stabileme shenja përmirësimi, derisa dy janë në gjendje të rëndë. Sot do të lëshohen gjashtë persona, të cilët edhe në analizat e dyta kanë rezultuar negativë. Katër prej tyre kanë qenë duke u trajtuar këtu në klinikë, derisa dy të tjerë të cilët kanë qenë mjekë, të cilët janë trajtuar në mënyrë ambullantore”, ka thënë Ahmeti për Express.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik pas mesnate ka konfirmuar edhe tri raste të reja me koronavirus. Rastet janë raste kontakti nga Mitrovica e Veriut.

Detaje për moshën e të gjithë të infektuarve ka dhënë zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti.

Sipas tij, dy prej pacientëve të hospitalizuar i takojnë moshës nën gjashtëvjeçare.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Hoti ka bërë me dije se grupmosha e të prekurve me Covid -19 që kanë pasur nevojë më shumë për tretman spitalor është ajo mbi 70 vjeç.

“Ka numër të barabartë të pacientëve të grupmoshave prej 30-39 vjeçe deri në 60-69 vjeçe. Në Klinikë deri tash nuk ka pasur të hospitalizuar asnjë pacient me Covid nga grupmosha 10-19 vjeç”, ka shkruar Hoti.

Ai ka treguar se nga 13 marsi e deri më 3 prill, në këtë klinikë ka vdekur vetëm një pacient i prekur nga Covid-19, dhe se i njëjti ka pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Deri tash në Kosovë janë prekur 135 persona me koronavirus, një ka vdekur, kurse 16 janë shëruar. Së pari virusi është lajmëruar në Klinë e Viti. Pastaj Malishevë, Podujevë, Gjakovë, Prishtinë, Lipjan. Në gjithë botën janë prekur më shumë se një milion njerëz prej kësaj sëmundjeje ngjitëse, prej të cilëve 226 mijë janë shëruar ndërsa 59 mijë kanë vdekur.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milionë euro për t’i bërë ballë virusit që është përhapur në shumicën e vendeve të botës. E ka shpallur edhe “Gjendjen e emergjencës së shëndetit Publik”, ku shtetit i lejohet të përdor secilin resurs publik e privat për ta mposhtur virusin.

Të ngjashme