Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, nuk “guxon” të flasë se çfarë mendon për lojën kundër Manchester Cityt, sepse në këtë mënyrë vetëm do ta motivonte rivalin.
“E kemi mposhtur skuadrën më të mirë në botë dhe kjo arrihet vetëm me lojë të mirë. Por nëse u them se çfarë mendoj për lojën tonë, vetëm do ta nervozoja Cityn dhe të shtoja motivin e tyre për ndeshjen e kthimit dhe kjo do të mjaftonte që Guardiola të vendoste titujt e gazetave në zhveshtoret e tyre. Prandaj, le të flasim pas ndeshjes së kthimit, pasi ende nuk ka përfunduar asgjë. Megjithatë, nuk mund të besoj se ata nuk e patën asnjë gjuajtje brenda kuadratit të portës sonë”, ka thënë Klopp.
Tekniku gjerman ka folur edhe për sulmuesin Mohamed Salah, i cili për shkak të lëndimit u largua nga loja në minutën e 52-të. “Salah ka thënë se ndihet mirë, por duhet të presim edhe vendimin e mjekëve”, ka shtuar Klopp. Ndeshja e kthimit ndërmjet këtyre dy skuadrave zhvillohet të martën.