Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp ka rrëfyer për mediat gjermane ditët në izolim, duke treguar se si e kalon ditën duke u angazhuar në punët e shtëpisë dhe njëkohësisht duke komunikuar me futbollistët që ai stërvit, për t’i mbajtur të karikuar.
“Lojtarëve u dërgoj vazhdimisht video nga ndeshjet ku kemi marrë fitore historike, apo kemi bërë lojë shumë të mirë, për t’i mbajtur të karikuar dhe për të shpresuar që do të përsëritim të njëjtat suksese edhe kur të rikthehemi”, deklaroi tekniku gjerman.
Me humorin që e karakterizon, trajneri gjerman i “The reds” zbulon se është angazhuar edhe në punët e shtëpisë, ndonëse jo gjithmonë ia ka dalë me sukses, ndërsa tregon se i ka vënë vetes një synim për 7 ditët e ardhshme të izolimit.
“Detyra ime në shtëpi është të laj pjatat dhe jam bërë një mjeshtër i lavastoviljes. Është një punë që po më pëlqen shumë. Një ditë provova të skuq vezët, por bashkëshortes time nuk i pëlqeu edhe aq, ndaj nuk merrem më me gatimin. Sfida e radhës është të mësoj të lidh kravatën, pasi nuk di ta bëj. I kam vendosur qëllim vetes që ta mësoj në 7 ditët e ardhshme”, tha Klopp, shkruan Supersport.al