Klubeve të Premier Leagues u është tërhequr vërejtja se ndeshjet mund të luhen pa shikues për një vit të tërë.
Po ashtu lojtarët duhet të qëndrojnë të izoluar në hotel për 14 ditë para se futbolli në elitën angleze të kthehet.
“Është shumë e qartë se situata shëndetësore nuk do të ndryshojë nga gjashtë deri në 12 muajt e ardhshëm. Është me rëndësi që njerëzit të kuptojnë se duhet të përballen me këto ndryshime”, ka thënë udhëheqësi mjekësor i Premier Leagues, Mark Gillet.
Në Gjermani ka vazhduar edicioni të shtunën, pasi lojtarët kaluan një javë në hotele. Ata nuk janë lejuar të largohen nga hotelet, pos për stërvitje.
Në Angli lojtarët pritet të qëndrojnë dy herë më gjatë të izoluar në hotele.
“Këshilla e qeverisë është që nëse duhet të izolohemi, të bëjmë këtë për 14 ditë. Duhet të qëndrosh i izoluar për 14 ditë që të ketë efekt. Ne po mendojmë për këtë dhe duhet të konsultohemi me lojtarët, trajnerët dhe palët tjera. Duhet të marrim një vendim me të cilin do të jenë të lumtur të gjithë”, ka shtuar Gillet.
Premier League synon të rifillojë më 12 qershor. Por nëse kërkohet izolim dyjavor, rifillimi në këtë datë nuk do të jetë shumë i mundur.