Në Pyllin e Arinjve në Badoc sot u mbajt konferenca përmbyllëse me pjesëmarrësit e Klubeve të Vullnetarizmit Edukativ, projekt që ka për qëllim të zhvillojë te të rinjtë e moshës 12-17 vjeç shkathtësitë e buta, si mendimin kritik, lidershipin e komunikimin.
Me këtë rast u bë e ditur se gjatë periudhës shtator 2021 – qershor 2022 kanë qenë aktive rreth 30 Klube në 15 komuna të Kosovës, dhe janë zbatuar rreth mbi 50 projekte të vullnetarizmit edukativ në komunitet.
Programi i Vullnetarizmit Edukativ në Kosovë zbatohet qe 5 vjet nga organizata “Toka” dhe përkrahet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Në ngjarjen përmbyllëse, që shënon përfundimin e gjeneratës së katërt, u bë një përmbledhje mbi të arriturat e klubeve, si dhe u ndanë Certifikata për Liderët dhe “Pasaporta të Suksesit” për vullnetarët.
Ardiana Lahu, koordinatore e projektit, ka treguar për Ekonomia Online se Programi i Vullnetarizmit Edukativ në Kosovë zbatohet qe 5 vite dhe ka për qëllim që të fuqizojë të rinjtë e moshës 12-17 vjeç për fitimin dhe zhvillimin e shkathtësive të buta përmes metodologjisë së të mësuarit përmes përvojës, si lidershipin, komunikimin, zgjidhjen e problemeve, punën në grupe, qytetarinë aktive, dhe rritjen e vetëbesimit.
“I kemi 29 klube në tërë Kosovën, që janë të shtrira në 15 komuna dhe udhëhiqen nga 60 liderë. Këto klube nuk janë të fokusuara vetëm në zona urbane, por janë të fokusuara edhe në shumë fshatra të Kosovës, ku edhe ndikimi në ata nxënës është shumë i madh”.
“Ajka e këtij programi janë projektet që i implementojnë vetë nxënësit. Ata vijnë vetë me ide të cilat i ideojnë si me i ndihmu komunitetit të tyre”.
“Janë krijuar biblioteka në shkolla, janë krijuar kënde të reflektimit, janë ngjyrosur zebra në qytet, janë krijuar shporta me klasifikim të mbeturinave e shumë projekte të tjera që iu kanë ndihmuar shkollave…Ka pasur edhe kampanja vetëdijesuese, për bullizmin, shëndetin mendor”, ka shpjeguar Lahu, disa nga aktivitetet.
“Qysh funksionon cikli i programit të vullnetarizmit edukativ është që ne e hapim thirrjen e hapur, ku mund të aplikojnë edhe arsimtarë, edhe studentë të edukimit dhe psikologjisë dhe super-vullnetarë ose super-qytetarë, që kanë qenë aktivë në klubet tona”.
Koordinatorja e projektit njoftoi se ky program financohet nga zyra e BE-së në Kosovë, ndërsa thekson se pa ndihmën e tyre aktivitetet nuk do të ishin kaq të bujshme.
“Kjo ndihmesë është shumë domethënëse për neve, sepse falë kësaj ndihme ne i zhvillojmë të gjitha aktivitetet tona. Pa këtë ndihmë aktivitetet kishin me qenë më të zbehta dhe nuk do te kishin pasur bujë siç kanë sot”.
Hatixhe Zeka, menaxhere projektit nga organizata “Toka”, tha se janë mbledhur sot këtu për t’i festuar të arriturat e liderëve të klubeve të vullnetarizmit edukativ për vitin shkollor që mbeti pas.
“Pa mësimdhënësit, pa studentët nuk kishim mujt me mbërri deri këtu, me e përfundu edhe gjeneratën e katërt. Do të fillojmë edhe me gjeneratën e pestë të cilët do t’i trajnojmë në gusht dhe do t’i hapim grupet e reja të vullnetarizmit edukativ që nga shtatori i këtij viti”.
“Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë na ka mbështetur që nga viti 2019 dhe për neve është një mbështetje shumë me rëndësi për shkak se mbështetja prej një organizate siç është BE-ja i jep shumë më shumë vlere projektit, por edhe më shumë seriozitet”.
“Programi ka për qëllim që t’i zhvillojë mësimdhënësit, por edhe t’i pajisë të rinjtë me aftësi dhe shkathtësi të reja, të cilat kërkohen për botën evropiane”.
Gjatë ndarjes së “Pasaportave të Suksesit”, Zeka ka treguar se secilit super-vullnetar të këtij projekti i është dhënë një pasaportë e veçantë, me medalje të cilat reflektojnë arritjet e tyre. “Kjo pasaportë është një shtysë motivuese dhe nxitëse për vullnetarët. Ideja e pasaportës është më rëndësi, sepse ka qenë një problem si të maten shkathtësitë e të rinjve”.
Leonita Koshi, lidere e klubit të Gjakovës, e cila është studente e Psikologjisë, tha se mësimet dhe trajnimet që i ka marrë nga “Toka” kanë qenë tepër të vlefshme.
“Nxënësit me të cilët i kemi organizuar këto programe në kuadër të ‘Tokës’ kanë qenë të bazuara në Keshillat e Veprimit Rinor Lokal (KVRL). Projekti është realizuar me sukses. Projekti ka qenë me bazë në shkollën ‘Yll Morina’ në Gjakovë dhe aty ka qenë për bazë mësimi i fëmijëve me aftësi, si në motiv e kreativitet; aftësi këto qe nuk do t’i ndihmojnë vetëm këta nxënës, por edhe shumë gjenerata pas tyre”, u shpreh Koshi.
Mirlinda Axhami – Hysa, lidere në klubin e Kaçanikut, tha se projekti në këtë komunë është zhvilluar në një vend rural, pra në njërën nga shkollat e fshatrave – dhe këtë ajo e vlerësoi si mjaft të rëndësishme.
“Nxënësit janë mësuar si ta identifikojnë një ide, si ta zhvillojnë një proces, cilët janë aktorët qe ndihmojnë në realizimin e tyre në të ardhmen. Nxënësit janë lidhur aq shumë mes vete, për shkak të këtij projekti, sa që ne si super-arsimtae po e kemi të vështirë ta ndërpresim projektin dhe gjasat janë prapë që do të vazhdojmë me këtë projekt në shkollën tonë”.
“Nxënësit kanë pasur mundësi t’i bëjnë disa vizita kulturore, për çka kanë shfaqur shumë emocionalitet”.
Sipas organizatorëve, për çdo vit në Klubet e Super-Vullnetarëve kalojnë rreth 500 të rinj të moshës 12-17 vjeç ndërsa Klubet e Super-Vullnetarëve udhëhiqen nga mësimdhënës të ciklit të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë, nga studentë (kryesisht të Fakultetit të Edukimit dhe Psikologjise).
Këto Klube janë aktive për së paku një vit shkollor dhe mbajnë takime javore të cilat zgjasin nga 2 orë. Gjatë takimeve javore të rinjtë mbajnë aktivitete të të mësuarit përmes përvojës dhe edukimit joformal dhe çdo Klub përgjatë periudhës 9 mujore e zbaton së paku një projekt të Vullnetarizmit Edukativ.
Mes tjerash, në punëtorinë që ka nisur qysh në mëngjes në ambientet e “Parkut të Arinjve”, pjesëmarrësit, rreth 40 sish, kanë diskutuar edhe këto tema: Zhvillimi i moduleve të reja që shërbejnë për Klubet e ardhshme të Vullnetarizmit Edukativ; Sugjerimet për ndryshimet në programin ekzistues të Klubeve të Vullnetarizmit Edukativ; Vullnetarizmi Edukativ në klasë – cilat janë; Përfshirja e institucioneve/komunave në mbështetjen e Vullnetarizmit Edukativ etj.
Kjo ngjarje organizohet në kuadër të fushatës “Për ju, me ju”, fushatë kjo që ka për qëllim promovimin e mbështetjes së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Deri më tani, falë mbështetjes së BE-së për zhvillim social, 500 vendim-marrës të rinj janë fuqizuar me aftësi për të avokuar për të drejtat e grave, 15 000 djem dhe vajza janë përfshirë në aktivizëm rinor, shkëmbim ndërkulturor, dhe mësim joformal, si dhe më shumë se 50 000 njerëz të cenueshëm janë mbështetur përmes shërbimeve mjekësore dhe sociale.