Klubi i Prodhuesve të Kosovës së bashku me rrjetin e biznesit shqiptar në Bavari “Besa Foundation” sot me rastin e ditës së tokës fillojnë fushatën vetëdijesuese për mbrojtjen e ambientit, ku në bashkëpunim me komunat dhe sektorin privat do të mbjellin fidanë të ndryshme në hapësirat publike.
Fushata e cila ka sloganin, “Një dhuratë për tokën” filloj me mbjelljen e drunjëve të parë në parkun e biznesit në Drenas, ku prezent ishin dy kompanitë e mëdha ricikluese ë vendin tonë, kompania Plastika dhe Scampa. Kjo fushatë vjen si nevojë e angazhimit për rritjen dhe mirëmbajtjen e hapësirave gjelbëruese, por edhe vetëdijesimin e qytetarëve për ruajtjen e mjedisit.
Gjithashtu mbrojtja e mjedisit është prioritet edhe në kuadër të Strategjisë së Ambientit, të cilën Klubi e ka pjesë themelore të funksionimit, ku përmes saj dëshiron të ndërtoj zhvillim të qëndrueshëm të sektorit ekonomik i cili respekton dhe kujdeset për ambientin.
Fushata do të vazhdoj edhe në javët në vazhdim, ku në bashkëpunim me kompanitë prodhuese, por edhe me institucionet dhe organet tjera kompetente, do të gjelbërohen hapësira të ndryshme në kuadër të këtij projekti.