Klubi i Prodhuesve përkrah vendimin për rezervat shtetërore dhe kërkon qe ato të jenë me produkte Made in Kosova
Klubi i Prodhuesve të Kosovës e përshëndet vendimin e sotshëm të Qeverisë së Kosovë për miratimin e vendimit që rezervat shtetërore të përfshihen në Pakon e Ringjalljes Ekonomike, ku u nda një buxhet prej 10 milionë eurove për rezervat shtetërore.
Klubi i Prodhuesve shpreh përkrahjen ndaj propozimit të ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati që ky vendim të jetë pjesë e masës 3.8, në Pakon e Ringjalljes Ekonomike.
Duke pasur parasysh luhatjet e fundit të çmimeve në tregjet botërore, blerja e rezervave shtetërore është mese e domosdoshme për stabilitetin e tregut vendor.
Klubi i Prodhuesve në të njëjtën kohë shfrytëzon rastin që të kërkoj nga Qeveria e Kosovës që blerjet për rezervat shtetërore të bëhen me prodhimet vendore, pasi që konsiderojmë që Kosova prodhon mjaftueshëm produkte esenciale që të jenë pjesë e rezervave shtetërore. Njëkohësisht me blerjen e produkteve Made in Kosova, përkrahen vetë prodhuesit vendor dhe qëndrueshmëria ekonomike e vendit tonë.