Kryetari i klubit FC Kosova Düsseldorf, Bujar Neziri, ka kritikuar institucionet kosovare për mungesë të përkrahjes materiale.
Kjo u bë e ditur përmes një konference për medie ndërmjet klubit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës në prag të ndeshjes ndërmjet fituesit të Kupës së Kosovës, FC Llapi dhe fituesit të Kupës së Diasporës, FC Kosova Düsseldorf, që zhvillohet në Ferizaj, raporton Ekonomia Online.
Neziri ka thënë se udhëtimi i tyre nga Gjermania ka shumë shpenzime, teksa thotë se një ndihmë simbolike do të ishte e mirëseardhur.
“FC Kosova Düsseldorf është formuar në vitin 1989,si një ndër klubet e para të formuar në Gjermani dhe për herë të parë e kemi organizuar kupën e Diasporës në vitin 1997. Ne do të mundoheni që të kontribuojmë gjithmonë dhe mos me qenë në gjendje institucionet tona me na ndihmua me një shumë simbolike është me të vërtetë keqardhje”, tha ai.
Miftar Dragidella menaxher i Federatës së Futbollit për Diasporë, tha se përkrahja ka munguar këtë herë nga institucionet kosovare.
“Le ta din e gjithë bota që diaspora deri tash është ndihmuar e tash as MKRS e as Ministria e Jashtme dhe Diasporë nuk kanë dhënë asnjë ndihmë. Më herët jemi ndihmuar, ndërsa tash asgjë. Ne nuk fitojmë prej futbollit por japim dhe ministria e Kulturës jep për një koncert ose një orë letrare që i reciton njëri-tjetrit dhe i japin 3-4 mijë euro, ndërsa neve nuk japin asnjë cent”, tha ai.
Trajneri i KF. Llapit, Tahir Batatina, tha ndeshja e nesërme do të jetë do ta ndihmojë këtë ekip, teksa shpreson në një rezultat pozitiv
E, Eroll Salihu nga FFK-ja dha se ndihma dhe përkrahja e tyre do të jetë çdo herë.