Skuadra që javën e kaluar e ndali në barazim Barcelonën, e formon bazën e përfaqësueses së Çekisë, kundërshtares së ardhshme të Kosovës në eliminatoret për “Euro 2020”.
Bëhet fjalë për Slavian e Pragës që më 5 nëntor luajti pa gola ndaj Barçës në “Camp Nou”, në kuadër të fazës grupore të Ligës së Kampionëve. Plot tetë lojtarë të Slavia Pragës janë pjesë e përfaqësueses së Çekisë për ndeshjet me Kosovën dhe Bullgarinë.
Ndeshja Çeki – Kosovë luhet të enjten në Plzen dhe përzgjedhësi Jaroslav Shilhavy pritet të bazohet shumë në lojtarët e skuadrës që po paraqitet mirë në “Champions”. Slavia udhëheq bindshëm në kampionatin çek, kurse në grupin e fortë me Barcelonën, Borussia Dortmundin e Interin ia ka dalë t’i fitojë dy pikë, shkruan sot Koha Ditore.
Fillimisht në xhiron e parë luajti 1:1 me Interin në Milano. Më pas humbi 2:0 nga Dortmundi në shtëpi para se të pësonte, po në shtëpi, me shifrat 2:1 nga Barcelona. Skuadrën katalonjase e ndali në barazim javën e kaluar, kurse e presin edhe ndeshjet me Interin në shtëpi dhe Dortmundin në udhëtim.
Seleksionuesi çek, Shilhavy, të hënën ka ftuar tre lojtarët e fundit me të cilët ka kompletuar ekipin për dy ndeshjet vendimtare. Njëri prej të ftuarve është mesfushori i Slavia, Petr Shevçik. 25-vjeçari është grumbulluar për herë të parë.