Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar pas decertifikimit të 86 kandidatëve për zgjedhjet lokale nga KQZ-ja, duke thënë se ky veprim i KQZ-së është rast flagrant i diskriminimit përmes përdorimit apo keqpërdorimit të standardeve të dyfishta në zbatimin e vendimeve gjyqësore, duke lejuar ata të jenë në garën nacionale dhe të njëjtit duke i eliminuar në garën lokale.
KMDLNj gjithashtu mendon se duhet të bëhet listimi i veprave, në bazë të rrezikshmërisë për shoqërinë, që do të përdorej për certifikimin apo mos certifikimin e kandidatëve e jo që në mënyrë lineare të trajtohen të gjitha rastet njësojë.
Reagim i plotë i KMDLNj –së:
Decertifikimi i kandidatëve për zgjedhje përmes përdorimit të standardeve të dyfishta
Komisioni Qendror Zgjedhor decerfikoi 86 kandidatë për zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017 duke u thirrur në Ligjin për Zgjedhje që i nxjerrë jashtë lojës garuese kandidatët të cilët ishin dënuar për një vepër penale në një vendim të prerë të gjykatës përkatëse në tri vitet e fundit. Ky kusht për kandidatët e mundshëm që kanë vendosur të garojnë për zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017 nuk gjeti zbatim në zgjedhjet parlamentare të datës 11 qershor 2017 ndonëse Ligji për Zgjedhje në periudhën tre mujore (nga 11 qershori falte deri të 22 tetorit 2017) nuk ka pësuar asnjë ndryshim që do t’i falte pjesëmarrësit e zgjedhjeve të 11 qershorit kurse do t’i dënonte garuesit në zgjedhjet e 22 tetorit 2017 e që në fakt ndodhi përmes decertifikimit (eliminimit të 86 kandidatëve) të dënuar e që një numër i tyre garuan edhe në zgjedhjet e 11 qershorit 2017 por se u certifikuan ndonëse edhe në atë kohë ishin të dënuar nga gjykata përkatëse, me një vendim të prerë.
Nga aspekti i të drejtave të njeriut por edhe nga aspekti i së drejtës, ky veprim i KQZ –së për KMDLNj –në është rast flagrant i diskriminimit përmes përdorimit apo keqpërdorimit të standardeve të dyfishta në zbatimin e vendimeve gjyqësore; për të njëjtën vepër edhe për të njëjtin dënim lejohesh të garosh në nivelin më të lartë dhe më të ndjeshëm, atë të përgjithshëm ku mandatoheni të votoni ligje kurse u mohohet pjesëmarrja në zgjedhje lokale ku zbatoni ligje!
Ky diskriminim është non-sens tipik kosovar!
Të deklaroni, siç bënë kryetarja e KQZ –së, Valdete Daka, gjyqtare e karrierës, se verifikimi për kandidatë në zgjedhjet e parakohshme nuk ka mundur të bëhet prandaj nuk e kanë bërë decertifikimin e të dënuarve kurse për zgjedhjet lokale, që janë të rregullta janë bërë nuk ka kuptim dhe nuk është arsyetim për faktin se zgjedhjet parlamentare janë më të rëndësishme se ato lokale dhe se deri më tani e duket se edhe në të ardhmen zgjedhjet parlamentare ka gjasë që në të shumtën e rasteve të jenë të parakohshme.
KMDLNj është për pastrimin e listave zgjedhore, pa bërë dallime dhe pa diskriminuar kandidatët e mundshëm. Në këtë kontekst mendon se kandidatëve që iu është lejuar pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit 2017 është dashur t’iu lejohet pjesëmarrja në zgjedhjet e 22 tetorit 2017 (meqë është një afat i shkurtës kohor midis dy zgjedhjeve) kurse, pas zgjedhjeve të 22 tetorit 2017 ka mundur të zbatohet Ligji për Zgjedhje dhe kjo do të ishte e pranueshme sepse në ndërkohë do të pastroheshin listat zgjedhore dhe kandidatët e dënuar nuk do të bëheshin pjesë e garës zgjedhore.
KMDLNj gjithashtu mendon se duhet të bëhet listimi i veprave, në bazë të rrezikshmërisë për shoqërinë, që do të përdorej për certifikimin apo mos certifikimin e kandidatëve e jo që në mënyrë lineare të trajtohen të gjitha rastet njësojë. Për KMDLNj –në është e nevojshme që nga listat zgjedhore të hiqen kandidatët që janë në procedurë gjyqësore, të akuzuar për vepra shumë të rënda dhe të dëmshme për shoqërinë për aq kohë sa zgjat procesi gjyqësorë apo deri te plotëfuqishmëria e vendimit gjyqësor.