KMDLNj përmes një komunikate për media ka dënuar gjuhën e imamit, Bedri Bytyçi i cili pas vdekjes së Hilmi Haradinajt, babait të kryeministrit ka bërë thirrje për hoxhallarët që këta të fundit të mos marrin pjesë në varrimin e tij.
Më poshtë mund të lexoni reagimin:
“Pas vdekjes së Hilmi Haradinaj, kontribues të jashtëzakonshëm për lirinë e Kosovës , si në planin personal ashtu edhe familjar, nga persona të papërgjegjshëm pati përpjekje që të përbaltet personaliteti i tij në baza krejtësisht jonjerëzore dhe në kundërshtim të thellë me mësimet e besimit islam dhe, pa asnjë dyshim edhe në kundërshtim me ligjet në fuqi. Thirrja publike që iu bënë hoxhallarëve tjerë që të mos marrin pjesë në ceremoninë e varrimit të ndjerit Hilmi Haradinaj duke ia mohuar shërbimet mortore nga një hoxhë, i punësuar në Bashkësinë Islame të Kosovës përkatësisht nga Bedri Bytyçi , është jonjerëzore, i pamoralshëm, kundër mandatit të BIK-ut, si autoritet suprem për çështje fetare , kundër tolerancës fetare që është vlerë e besimit islam, përdorim i gjuhës së urrejtjes, nxitje të urrejtjes ndërfetare si dhe lehtësisht mund të cilësohet si fjalorë me elemente raciste. Pas kësaj deklarate të hoxhës Bytyçi , filloi një fushtaë linçimi ndaj tij të cilën KMDLNj e konsideron si të papranueshme dhe se kjo fushatë mund t’ia rrezikojë jetën e Bedri Bytyçit dhe familjarëve të tij. KMDLNj kërkon që me rastin e hoxhë Bytyçit të merren dy institucione që kanë mandat dhe përgjegjësi për deklaratën e papërgjegjshme të hoxhës që shkaktoi zemërim dhe reagim të ashpër të opinionit , deri te kërcënimi i hapur për jetën e tij. Institucioni i parë që duhet të reagojë shpejt është BIK –u , si punëdhënës i hoxhës në fjalë duke ndërmarrë masa deri te një përfundim ( mbase ligjorë ) kurse prokuroria e shtetit duhet të veprojë sipas detyrës zyrtare , jo për shkak të reagimit të opinionit e që do të konsiderohej se e bënë për shkak të presionit por duke e marrë për bazë deklaratën e hoxhës Bedri Bytyçi e cila , pa asnjë dyshim përmbanë elemente të gjuhës së urrejtjes , nxitjes së urrejtjes në baza fetare , jotolerancës dhe racizmit.
Çështja e besimit dhe ushtrimit të lirë dhe të paimponuar të fesë është e rregulluar me ligj dhe është e drejtë e pakundërshtueshme e njeriut prandaj është në vullnetin e familjes të vendosë ( sikur edhe dëshira e të ndjerit lënë për së gjalli ) se sipas cilave riteve mortore duhet të varroset dhe kjo e drejtë duhet të respektohet nga të gjithë aq më parë që bashkësitë fetare në Kosovë apo institucionet e tyre ekzekutive janë shndërruar në ndërmarrje komerciale që kompensohen për shërbimet që i bëjnë.
KMDLNj kërkon nga bashkësitë fetare që t’iu përmbahen statusit që e kanë e janë të ndara nga shteti , definim kushtetues , dhe të mos e politizojnë aktivitetin e tyre që duhet të jetë thellësisht dhe kryesisht i natyrës shpirtërore. Politizimi i bashkësive fetare për pasojë e ka radikalizimin e rrymave dhe individëve të caktuar , që nuk janë nën kontrollë të këtyre bashkësive fetare dhe që , me radikalizimin e tyre e promovojnë gjuhën e urrejtjes , urrejtjen ndërfetare dhe racizmin e që drejtpërderejtë manifestohet me rrezikim e situatës së sigurisë.
Për KMDLNj –në , luftimi i këtyre dukurive negative , me karakter antinjerëzorë , kundër çdo etike dhe përcaktimi fetar si dhe që shkelin ligjet në fuqi , është domosdoshmëri dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si ndërhyrje e shtetit në pavarësinë dhe lirinë e veprimit të bashkësive fetare dhe si e tillë duhet të përkrahet nga të gjithë . Ndryshe , në mungesë të masave parandaluese ndaj dukurive negative të keqpërdorimit të fesë , po përballemi me pasojat që kanë një çmim të kushtueshëm , si në planin e brendshëm ashtu edhe ate ndërkombëtarë.
Në këtë kontekst KMDLNj bënë thirrje që të ndalohet gjuha e urrejtjes , nxitja e urrejtjes ndërfetare duke respektuar bindjet dhe besimin fetar të të tjerëve si parakusht kryesorë për një mjedis tolerant dhe mjeti më i mirë dhe më efikas për luftimin e ekstremizmit fetar te të gjitha besimet fetare!
KMDLNj është kundër linçimeve publike aq më parë që i kemi institucionet që në bazë të provave janë të thirrura ta përcaktojnë shkallën e përgjegjësisë , morale dhe penale. Liria e fjalës , liria e shprehjes dhe liria e besimit ka kuptim dhe është e pranueshme vetëm deri aty kur nuk e rrezikoni lirinë e të tjerëve ! Fjala publike ka përgjegjësi dhe duhet t’i nënshtrohet përgjegjësisë në mungesë të përgjegjësisë të atyre që e shpërdorojnë këtë të drejtë!”.