KMDLNj e vlerëson shtyrje të paarsyeshme fillimin e vitit të ri shkollor

Prishtinë | 05 Sht 2020 | 13:49 | Nga Ekonomia Online

Këshilli për Mbrojtjeje e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, e ka vlerësuar  si të panevojshme shtyrjen e fillimi të vitit të ri shkollor.

Sipas tyre, SBASHK-u  që deri më tani “kishte zënë flladin e mrizit në Durrës, pa asnjë të drejtë dhe në mungesë të kapacitetit për vlerësim profesional të shëndetit, duke u mëshehur prapa veprimeve sindikaliste bëri presion te MASHT – i për të shtyrë fillimin e procesit shkollor për 15 ditë”.

Komunikata e plotë:

Më heret ishte marrë vendim që viti i ri shkollor të  nisë me 1 shtator 2020 sikur që kishin vepruar edhe vendet e rajonit gjithnjë duke respektuar udhëzimet e IKSHP që është institucion kompetent dhe përgjegjës për shëndetin publik. Në ndërkohë SBASHK- u që deri tani kishte zënë flladin e mrizit në Durrës, pa asnjë të drejtë dhe në mungesë të kapacitetit për vlerësim profesional të shëndetit, duke u mëshehur prapa veprimeve sindikaliste bëri presion te MASHT – i për të shtyrë fillimin e procesit shkollor për 15 ditë që nënkupton se sipas vendimit të SBASHK – ut i,  vetshpallur si autoritet suprem i arsimit në Kosovë , do të nisë me 15 shtator 2020. Me këtë u pajtua edhe vartësi i Rrahman Jasharajt , kryeplakut të SBASHK-ut , Ramë Likaj që është minister i MASHT-it por që kompetencat ekzekutive për arsimin kosovar në të gjitha nivelet ia ka deleguar Rrahman Jasharajt. Në ndërkohë,  SBASHK- u publikisht ka deklaruar se mësimi mund edhe të mos fillojë me 15 shtator 2020 shkaku se mund të rrezikohet shëndeti i mësimdhënësve dhe për shëndetin e tyre më i mirë është ajri në Durrës se shkollat e kontaminuara. Për këtë arsye , kryeinspektori i arsimit kosovar Rrahman Jasharaj, i shoqëruar nga inspektori Ramë Likaj vizituan shkollat e Prishtinës pas së cilës Rrahman Jasharaj, në enciklikën e tij , urbi et orbi iu drejtua opinionit kosovar se viti shkollor ka gjasa të nisë me 15 shtator e që me këtë, me një pohim koke u pajtua edhe Ramë Likaj. SBASHK- u , me nje grusht individësh, në emër të ruajtjes dhe forcimit të protagonizmit dhe mbijeteses në skenën publike duke u thirrur në mbrojtjen e të drejtave të mësimdhënësve , duke bashkëvepruar në një shtrat të përbashkët me politikanët dhe politikën në mënyren më flagrante ua ka shkelur të drejtat e nxënësve për një arsimim të rregullt dhe cilësorë. Greva disamuajshe dhe refuzimi për të mos kompensuar  orët e humbura , jashtëzakonisht e ka dëmtuar procesin mësimor dhe ky veprim klientelist e kundërsindikalist do të dënohej në çdo vend të botës. Kërkesa ekskluzive e SBASHK-ut ka qenë rritja e pagave për mësimdhënësit , pa ofruar asgjë të re për këtë dhe as që iu ka interesuar se sa mbrapa do të mbesin nxënësit në procesin e mësimnxënies sikur edhe që skajshmërisht kanë injoruar kërkesat e Këshillit të Prindërve. Humbja e orëve për një periudhë të gjatë për shkak të pandemisë e ka shtrirë për toke arsimin kosovar kurse mosfillimi me kohë dhe shtyrja eventuale e procesit mësimor për shkak të kërcënimit dhe qëndrimit shantazhues të SBASHK-ut përfundimisht do ta godasë arsimin e që për vite të tëra nuk do ta marrë veten. Me ligjet në fuqi, MASHT është autoritet suprem dhe i vetëm për arsimin kosovar , në të gjitha nivelet dhe vendimet e MASHT – it janë ekzekutive kurse të gjithë të tjerët mund të ndihmojnë me rekomandime. Shetitja e ministrit të Arsimit , Ramë Likaj me Rrahman Jasharajn në shkollat e Prishtinës është sa i çuditshëm aq edhe i papranueshëm për faktin se askush në këto vitet e fundit,  përmes shantazheve dhe grevave josindikale nuk e ka dëmtuar arsimin kosovar. Edhe ashtu e kemi pasur arsimin e brishtë kurse tash po prodhojmë analfabetë funksional serikë dhe intelektual jofunksional. Duhet të bëhet prerje e qartë, MASHT- i dhe ministri Likaj duhet të veprojnë në përputhje me mandatin dhe kompetencat kurse SBASHK- u dhe Rrahman Jasharaj duhet t’u kthehen veprimeve krejtësisht sindikaliste për faktin se , përveç se janë mësimdhënës, edhe fëmijët e tyre janë nxënës, studentë etj. Kështu , si qëndron puna kur MASHT-i i nënshtrohet shantazheve të SBASHK-ut, duhet të ndjehemi tepër të shqetësuar dhe të brengosur në duart e kujt janë dhe do të mbesin fëmijët tanë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme