KMDLNj ia kujton Rakiqit se president e ka Thaçin dhe jo Vuçiqin

Prishtinë | 23 Nën 2018 | 10:48 | Nga Ekonomia Online

KMDLNj i ka reaguar kryetarit të Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq i cili gjatë ditës së djeshme qëndroi në Beograd për t’u takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas vendosjes së taksës 100% nga Qeveria e Kosovës për mallrat serbe, duke ia kujtuar se president i tij është Hashim Thaçi dhe jo Vuçiqi.

Më poshtë, teksti i plotë i reagimit të KMDLNj – së:

Gospodin Rakiç, Presidenti i juaja është Hashim Thaçi e jo Aleksandar Vuçiq!

Kryetari i Mitrovicës së Veriut ( qyteti i ndarë dhunshëm 18 vite pas përfundimit të luftës), së bashku me mekanizmin bllokues Lista Serbe, e formuar nga Serbia dhe e përkrahur nga BE – ja, nuk lë rast pa punuar kundër interesave të popullit serb në Kosovë dhe pa dëshmuar se është një marionetë e Serbisë dhe e Aleksandar Vuçiqit të cilin e konsideron president të vetin dhe president të Kosovës, si krahinë apo rajon i Serbisë, duke harruar se tani është një realitet tjetër në shtetin ku jeton, nga i cili merr rrogë, në zgjedhjet e organizuara nga ky shtet u bë kryetar i Mitrovicës dhe i cili i garanton siguri për të dhe familjen e tij.

Goran Rakiq është artist i pashkolluar, ka talent mashtruesi dhe manipulues.

Me datë 22 nëntor 2018 pasi Qeveria e Kosovës vendosi taksë doganore 100% për mallrat nga Serbia e Millosheviqit dhe Bosnja e Dodikut; si një nxënës i dobët shkoi në Beograd, qëndroi gatitu para shkaktarit të të gjitha problemeve për serbët dhe shqiptarët në Kosovë, Aleksandar Vuçiq të cilit iu drejtu si president duke kërkuar ndihmë, me një zë të përvajtshëm, aspak i sinqertë, kinse nga rreziku prej shqiptarëve që po i rrezikojnë jetën serbëve duke i kanosur me uri për faktin se kryeministri Haradinaj dhe Qeveria e Kosovës paska vendosur taksë 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja.

Para shkaktarit kryesor për rritjen e taksës prej 100% e që është Aleksandar Vuçiq, marioneta Rakiq u kërcënua se do të bëjnë protesta, do të luftojnë dhe do të vendosin barikada dhe marrëzira të tjera që asnjë shtet normal nuk i pranon dhe nuk i toleron.

Goran Rakiq , së bashku me serbët e tjerë, disa udhëheqës kosovarë, KEK – un, KEDS – in dhe ZRRE – në janë hajdutë, plaçkitës dhe të pamoralshëm për faktin se thuajse 15 vite pas përfundimit të luftës i kanë vjedhur qytetarët shqiptarë dhe joserbë të Kosovës duke ua faturuar rrymën e shpenzuar si shpenzime të qytetarëve që realisht nuk e kanë shpenzuar!

Mashtruesi dhe hajduti Rakiq, së bashku me mashtruesit institucional të Kosovës, KEK – un dhe KEDS – in dhe ZRRE – në janë furnizuar me rrymë, ujë, ngrohje dhe shërbime tjera nga paratë tona sikur që asnjëherë nuk kanë paguar taksa institucioneve të Kosovës ndonëse vazhdimisht kanë marrë paga nga Buxheti i Kosovës dhe kanë përfituar në mënyra tjera , kryesisht kundërligjshëm.

Goran Rakiq që nuk e njeh Hashim Thaçin president, që nuk e njeh Kosovën shtet por e quan Kosova dhe Metohi ka udhëhequr të gjithë ata që e kundërshtuan dhe e kundërshtojnë Kosovën duke vendosur barikada, kryqe nëpër rrugë, duke terrorizuar shqiptarët dhe duke bërë pastrimin etnik, duke mos e lejuar kthimin e të zhvendosurve shqiptarë në shtëpitë dhe pronat e tyre dhe paralelisht duke kolonizuar këtë pjesë të okupuar të Kosovës përmes ndërtimit të shtëpive në Lagjen Kodra e Diellit, e që nuk u pengua as nga institucionet e Kosovës dhe as nga burokratët e BE – së.

Pjesën ku është kryetar Goran Rakiq e shndërroi në Eldorado të krimit të organizuar ku nuk funksionon shteti i së drejtës por bandat militare dhe paramilitare. Në këtë parajsë të krimit u vranë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë që nuk u rreshtuan në skemat kriminale, askush nuk u zbulua dhe askush nuk u dënua. Pas një konstatimi të ngjashëm u ekzekutua në mënyrë klasike lideri i një pjese të serbëve, Oliver Ivanoviq, ndryshe me një të kaluar shumë të dyshimtë.

Po nga kjo parajsë e krimit u arratisën, nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë 23 të dyshuar për krime ndaj shqiptarëve, të cilët lirisht shëtitnin në Mitrovicë për të lëvizur pastaj në Serbi , pa u trazuar dhe kërkuar nga askush, as nga Rakiqi e as nga Mogerini dhe burokratët e tjerë të BE – së. Po ky krim i organizuar i mbyti tre (3) fëmijë shqiptarë në fshatin Çabër dhe nuk lejoi të zbardhet ky krim i tmerrshëm. Së bashku me ndërkombëtarët që e mbyllën rastin me një arsyetim ideotesk, poshtërues dhe nënçmues se : nuk po gjendet qeni që e ka shkaktuar mbytjen e tre (3) fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër, në fshatin Çabër. Po në këtë vatër të krimit të organizuar që sundohet nga krimi i organizuar e ku Rakiq është marionetë, në shkurt 2000 me ndihmën e francezëve u ekzekutuan 13 shqiptarë dhe joserbë, me dhjetëra u lënduan rëndë dhe lehtë kurse dhunshëm u shpërngulën afërsisht 13.000 shqiptarë dhe joserbë. Askush nuk u dënua për këtë krim dhe të dëbuarve me dhunë nuk iu lejua të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre nga Rojat e Urës, kriminelët e ardhur nga katër anët e botës, nga Rakiq me shokë, nga francezët “paqeruajtës” , nga UNMIK , EULEX misioni i BE – së dhe burokratët e Brukselit që u bënë politikë të jashtme, Frederika Mogerini, një shkelëse brutale e të drejtave të njeriut dhe një arkitekte e këmbimit të territoreve, në pajtim të plotë me Aleksandar Vuçiqin dhe duke e shantazhuar Hashim Thaçin, presidentin fatkeq të Kosovës.

Të dëbuarit dhunshëm nga “parajsa e krimit” e Goran Rakiqit u bënë refugjatë në vendin e tyre duke ua mohuar të drejtën elementare të njeriut, të drejtën e pakushtëzuar për kthim në pronat e tyre pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, gjinore, të moshës, statusit shoqëror apo bindjeve politike.

Mogerini dhe disa burokratë të tjerë, procesin e kthimit të personave të zhvendosur e kanë kuptuar dhe zbatuar si të njëanshëm; të kthehen serbët qoftë edhe nëse kurrë nuk kanë jetuar atje dhe të mos kthehen shqiptarët.

Goran Rakiq nuk e lejon hapjen e urës që dhunshëm e ndanë Mitrovicën, i ndihmuar nga Beogradi, Brukseli dhe në heshtje nga disa politikanë të Kosovës.

BE në vazhdimsi e ka keqtrajtuar Kosovvn dhe qytetarët e saj duke ua mbyllur të gjitha rrugët, duke iu vënë kushte që nuk i ka pasur asnjë vend tjetër duke ua vendosur fusnotën dhe duke mos e njohur Kosovën , shtet të pavarur dhe sovran.

Qytetarët e Kosovës i ka futur në geto, në izolim, në tunel pa dalje dhe duke ua shuar shpresat për një ardhmëri që e kanë vendet e rajonit e që janë shumë më të kriminalizuara se Kosova.

Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret teknike për liberalizim të vizave dhe në fushvn e respektimit të të drejtave të pakicave, asnjë vend në botë nuk ka siguruar të drejta më të mëdha për pakica përkatvsisht pakicën serbe duke e zbatuar parimine diskriminimit pozitiv vetëm për serbë dhe duke i diskriminuar pakicat tjera dhe shumicën shqiptare.

Vendosja e taksës 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja është e drejtë, domosdoshmëri dhe mekanizëm mbrojtës për prodhuesit vendorë dhe sidomos për sigurinë e vendit që në mënyrë flagrante po dhunohet që nga përfundimi i luftës nga Serbia dhe disa burokratë të BE – së. Detyrimet ndaj CEFTA – s nuk janë të njëanshme siç po e interpreton Mogerini dhe disa burokratë të BE – së.

Se për çfarë të drejte flet Mogerini duke u rreshtuar në anën e Serbisë dhe për çfarë të drejte të njeriut flet më së miri dëshmon fakti i trajtimit të refugjatëve që kanë ikur nga lufta dhe pasiguria; shumë shtete politikën e jashtme në kuadër të BE – së që e udhëheq Mogerini, i trajtojnë refugjatët si qenie të dorës së tretë, i kanë vendor në kushte të padinjitetshme, i keqtrajtojnë duke i rrahur dhe ndjekur me qenë sikur që kanë ngritur mure dhe pengesa me tela gjemborë e që janë në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut.

Kurse, po i pengon vendimi i Qeverisë që ka ndërmarrë masa mbrojtëse kundër një shteti (Serbia) që ka qëndrim thellësisht armiqsor ndaj Kosovës.

Këto masa janë të drejta, ato duhet të përkrahen dhe Qeveria e Kosovës duhet të këmbëngul në mbrojte të vendimit të drejtë që e ka marrë dhe jo t’i nënshtrohet shantazheve dhe kërcënimeve të Mogerinit të bëra nga interesat e ulëta dhe puro karrieriste. Mogerinit nuk i inetereson nëse Kosova humb territor, është e pandjeshme dhe e tmerrshme!

Ajo nuk ka lidhje me të drejtat e njeriut, nuk i kupton ato por i keqpërdorë skajshëm në dëm të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Serbia mund dhe duhet të kërkojë treg tjetër për aq kohë që sillet armiqësisht ndaj Kosovës. Ajo thotë se kurrë nuk do të njoh, përse ne duhet të vuajmë për të dhe përse ne duhet ta njohim atë ? Përse ne jemi të detyruar të blejmë mallëra serbe, duke e forcuar një shtet me disponim dhe veprim armiqësor ndaj Kosovës kur mund dhe duhet ta forcojmë vendin tonë.

Kosova duhet me përpikmëri t’i respektojë, mbrojë dhe promovojë të drejtat e njeriut të garantuara në Kushtetutën e vendit, pa asnjë dallim në baza etnike, fetare, gjinore, racore, etj. Pa qenë e detyruar t’a zbatojë kurrëfarë disponimi pozitiv.

Kosova nuk ka nevojë të shpikë të drejta të njeriut që nuk zbatohen as në vendet me demokraci të zhvilluar dhe konsoliduar dhe në këtë drejtim nuk duhet t’i nënshtrohet asnjë kushtëzimi.

Ata qytetarë të Kosovës që e konsiderojnë veten qytetarë të këtij vendi duhet të trajtohen me respekt dhe në përputhje me ligjin kurse ata që duan të sillen dhunshëm duhet të trajton në përputhje dhe sipas ligjit. Pa bërë asnjë dallim Kosova dhe qytetarët e saj meriton dhe meritojnë trajtim sikur edhe vendet e tjera, pa u diskriminuar, poshtëruar dhe degraduar siç është vepruar deri tani nga Mogerini, mogerinët dhe burokratët e BE – së.

Kosova dhe Serbia janë fqinjë, nuk mund të zhvendosen në një territor tjetër dhe nëse nuk mund të jetojnë me njëri – tjetrin, janë të gjykuara të jetojnë pranë njëri – tjetrit duke respektuar rregullat dhe normat që vlejnë nga shtetet që kanë fqinjësi të mirë dhe e cila po shkelet brutalisht nga Serbia, Aleksandar Vuçiqi dhe i ndihmuar nga Mogerini dhe ndonjë politikanë i pandërgjegjshëm dhe i papërgjegjshëm kosovar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme