Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, ka kujtuar protestën e 10 shkurtit të vitit 2007, duke kërkuar që viktimat e Arben Xheladini dhe Mon Balaj të pranohen si viktima politike, të rehabilitohen dhe ta fitojnë statusin e merituar, ndërsa, familjet e tyre të fitojnë të drejtën që e gëzojnë familjet e viktimave civile të luftës.
KMDLNj ka reaguar edhe për të plagosurit e kësaj proteste, duke thënë se duhet të kompensohen moralisht dhe materialisht, në përputhje me ligjin.
Reagimi i plotë i KMDLNj:
Më 10 shkurt 2007 protestat paqësore të organizuara nga Lëvizja “Vetëvendosje”! u shtypën në mënyrë të dhunshme nga Policia e UNMIK-ut me ç’rast policët e kontingjentit rumunë dhe ukrainas të kësaj policie ekzekutuan nga afërsia protestuesit paqësorë , Arben Xheladini dhe Mon Balaj ndërkaq plagosën rëndë dhe lehtë afërsisht 100 protestues paqësorë.
KMDLNj ka monitoruar ato protesta që nga fillimi i tyre deri sa kanë përfunduar sikur dhe ka bërëpërpjekje , në një takim para fillimit të protestave që të ndërmjetësojë te udhëheqësit e atëhershëm të Shërbimit Policor të Kosovës që të mos lejohet përdorimi i dhunës. Vlerësimi i KMDLNj –së ishte se vendorët nuk janë pyetur fare për intervenim policor.
KMDLNj , në kohën kur është kryer ky krim i pashembullt ka kërkuar hetime dhe përgjegjësi për ata që planifikuan , e kryen apo nuk e penguan krimin. Përgjegjësia e vetme ka qenë dorëheqja e shefit të atëhershëm të Policisë së UNMIK-ut, Stiven Kurtis si dhe dorëheqja e ish ministrit për Punë të Brendshme, z. Fatmir Rexhepi. Zoti Fatmir Rexhepi nuk ka pasur asnjë përgjegjësi faktike përveç asaj morale.
KMDLNj , edhe atëherë por edhe tani e bënë përgjegjës kryesor për këtë krim z. Stiven Shuk, ish zëvendës administrator i UNMIK-ut i cili ka koordinuar dhe urdhëruar shtypjen e protestës me dhunë.
KMDLNj përkujton opinionin se nga përgjegjësia politike, morale dhe mbase edhe penale nuk mund të përjashtohen as një pjesë e udhëheqësisë së atëhershme të Kosovës dhe një pjesë e mediave elektronike dhe të shkruara që u bënë mbështetës të krimit që u bë nga Policia e UNMIK-ut , duke informuar në mënyrë tendencioze dhe të shtrembëruar.
KMDLNj konsideron se ky krim nuk mund të harrohet duke e mbyllur rastin prandaj kërkon vendosjen e drejtësisë duke kërkuar përgjegjësi penale për të gjithë ata që ishin të përfshirë në këtë krim ndaj protestuesve paqësorë. Imuniteti nuk është arsye e as argument që të mos kërkohet ndëshkim për ata që e kryen krimin ndërsa kalimi i kohës gjithashtu nuk është argument që ky krim të lihet si rast “ad acta”.
KMDLNj kërkon që viktimat e këtij krimi, Arben Xheladini dhe Mon Balaj të pranohen si viktima politike, të rehabilitohen dhe ta fitojnë statusin e merituar ndërsa familjet e tyre të fitojnë të drejtën që e gëzojnë familjet e viktimave civile të luftës. Edhe të plagosurit duhet të kompensohen moralisht dhe materialisht, në përputhje me ligjin.
KMDLNj kërkon nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të ngrejnë zërin në mbështetje të kërkesës së KMDLNj – së duke kërkuar drejtësi për Arben Xheladinin e Mon Balajn të ekzekutuar nga Policia e UNMIK-ut më 10 shkurt 2007 si dhe përgjegjësi për ata që e kryen krimin, e urdhëruan, nuk e penguan apo kontribuuan për këtë krim! Aktorët e këtij krimi janë gjallë , lehtë mund të sillen para organeve të drejtësisë dhe ndaj tyre nuk duhet të demonstrohet mëshirë. Nëse zbatimi i ligjit dhe drejtësisë është standard mbi të cilin ndërtohen të gjitha vlerat e një shoqërie demokratike në Kosovë , me mosndëshkimin e këtij krimi po bëhet e kundërta; krimi po bëhet standard dhe vlerë e një oportunizmi politik , vendor dhe ndërkombëtar! Ku e drejta për protestë paqësore e sidomos e drejta për jetë , si e drejtë elementare e njeriut po dhunohet skajshmërish përmes mosndëshkimit të krimit.