Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut KMDLNj kërkon nga Ministria e Drejtësisë t’u kërkojë falje dhjetë zyrtarëve të Shërbimit Korrektues, pasi që u është paragjykuar fajësia, pa përfundimin e hetimeve dhe ta tërheqë vendimin për suspendim nga puna për të “akuzuarit”, pa aktakuza të ngritura.
KMDLNj nëpërmjet një reagimi ka shkruar se Ministria e Drejtësisë pas një njoftimi të Prokurorisë se ndaj 10 ish dhe zyrtarëve të tashëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, u ngatërrua dhe mori në thua duke e cilësuar këtë hetim si ngritje të aktakuzës ndaj këtyre zyrtarëve dhe me një automatizëm i suspendoi nga puna duke mos e sqaruar rastin deri në fund.
Sipas KMDLNj-së, doli se këta ish dhe zyrtarë të tashëm në mesin e të cilëve ka edhe të dorëhequr, padrejtësisht janë suspenduar nga puna dhe ndaj tyre është paragjykuar fajësia ndonëse hetimet ende nuk kanë përfunduar e që përbënë shkelje të rëndë ligjore dhe shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut të cilën, po ta bënte Ministria për Bujqësi nuk do të tolerohej e lëre më një ministri që do të duhej të ishte e përpiktë në interpretimin e procedurave ligjore ( sepse vet i ka përpiluar këto), dhe të garantojë të gjithë të dyshuarit për një hetim të pavarur, të pa ndikuar politikisht dhe në përputhje me ligje në fuçi e që këtë rast nuk ka ndodhur kështu.
“KMDLNj kërkon të ndërmerren masa ndaj atyre që e kanë bërë këtë lëshim, që e kanë dezinformuar opinionin, që i kanë damkosur zyrtarët fajësia e të cilëve deri më tani nuk është provuar e cila e ulë reputacionin dhe besueshmërinë në këtë Ministri. KMDLNj, në përkrahje të KFOS, monitoron respektimin e të drejtave të njeriut për personat e privuar nga liria por edhe stafit të Shërbimit Korrektues të Kosovës që është i angazhuar në këtë Shërbim. KMDLNj kërkon që politika të mos interferojë në punën e Shërbimit Korrektues të Kosovës , që nga emërimi i zyrtarëve të lartë, te trajtimi i personave të privuar nga liria e deri te përfitimi i beneficioneve dhe faljeve të dënimit”, thuhet në reagim.