Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ndaj situatës së fundit në vend.
Sipas KMDLNj, qytetarët e Kosovës duhet të organizohen që të pengojnë “karvanët nacionalistë dhe shovenistë nga Serbia”.
“Qytetarët e Kosovës duhet të organizohen në mungesë të veprimit politik dhe të pengojnë karvanët nacionalistë dhe shovenistë nga Serbia kurse serbët e Kosovës duhet të kërkojnë përkrahje nga shumica shqiptare e cila edhe mbanë përgjegjësi për pakicën dhe të integrohen në institucionet e Kosovës e jo të mbesin peng i politikës së Serbisë”, thuhet në komunikatën e dërguar për medie.
Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të KMDLNj-së:
Marrëdhëniet midis dy shteteve a dy vendeve funksionojnë kryesisht në bazë të parimit të zbatimit të reciprocitetit; si sillet vendi apo shteti ndaj jush, e njëjtë është përgjigjja e juaj. Ky parim është i njohur, i pranuar dhe zbatohet në të gjitha vendet e botës. Ky parim zbatohet që nga problemi apo mosmarrëveshja më e vogël deri te çështjet më të ndërlikuara.
Realisht, parimi i reprocitetit nuk zbatohen vetëm në fushën e të drejtave të njeriut sepse ato janë automatike, iu takojnë me të lindur. Presidenti i republikës së Serbisë, Aleksander Vuçiq, me një të kaluar kriminale, si pjesë shumë aktive dhe kontributdhënëse e këtij regjimi që shkaktoi aq shumë krime në hapësirat e ish – Jugosllavisë, me datë 8 dhe 9 shtator vizitoi Kosovën siç thuhet me lejen e autoriteteve kosovare. Fillimisht atij nuk iu lejua ta vizitojë liqenin e Ujmanit si pjesë e pandashme e territorit të Kosovës e që pastaj kjo vizitë iu lejua pas, sipas deklaratës së z.Pacolli, presioneve që i ka bërë BE qeverisë së Kosovës.
Gjithashtu, presidenti i Serbisë bëri përpjekje të vizitojë Banjën, të banuar me serbë e që u pengua, me plotë të drejtë nga banorët e Skënderajt dhe pjesëve tjera të Drenicës pas së cilës kryeministri i Kosovës, z.Haradinaj ia tërhoqi lejen e dhënë më parë nga Begjet Pacolli , ministër për Punë të Jashtme.
Është bërë praktikë e zakonshme që politikanët e Serbisë, të të gjitha niveleve, me leje e më shumë pa leje e vizitojnë Kosovën për t’i mobilizuar serbët përmes një fjalori nacionalist e shovenist e që për qëllim ka pengimin e integrimit të tyre në institucionet e Kosovës gjë që deri më tani edhe e kanë arritur. Në të njëjtën kohë qytetarët e Kosovës gjatë udhëtimit nëpër Serbi arrestohen dhe akuzohen me akuza të sajuara dhe të shpifura, sportistët e Kosovës nuk lejohen të marrin pjesë në gara ndërkombëtare në Serbi, nuk lejohen apo pengohen që edhe aktivistët për të drejtat e njeriut, artistët dhe të tjerët të hyjnë në Serbi sikur që as që mund të flitet për vizitat e politikanëve nga Kosova, pavarësisht nivelit përfaqësues të shkojnë në Serbi dhe të takohen me shqiptarët që jetojnë atje dhe të cilëve u mohohen të drejtat elementare të njeriut.
Bashkimi Evropian por edhe diplomatët me ndikim në këto raste zbatojnë standarte të dyfishta, gjykojnë çdo kufizim që u bëhet politikanëve nga Serbia gjatë vizitës në Kosovë kurse heshtin për ndalesat që u bëhen atyre nga Kosova. Padrejtësi dhe dyfytyrësi në mbrojtje të drejtave të njëjta dhe cinizëm imoral gjatë interpretimit të këtyre të drejtave.
Kujtojeni zhurmën që u bë pas arrestimit të kundërvajtësit Gjuriq që hyri pa leje në Kosovë e që kjo hyrje ilegale do të sanksionohej në të gjitha vendet e botës. Zëvedëskryeministri i Kosovës dhe njëkohësisht ministri për Punë të Jashtme i Kosovës i cili është aq dorëlirë në dhënien e lejeve për politikanët nacionalist dhe shovenist që e vizitojnë Kosovën, kohë më parë nuk mori leje nga Serbia për të vizituar Novi Pazarin dhe për të marrë pjesë në një konferencë kurse tmerrësisht u kap nga frika kur pas tentimit të vizitojë Bosnjen (pjesën serbe) nga kërcënimi i çetnikut Dodiq i cili deklaroi se:” Pacollin nuk e pret tepihu i kuq në Bosnjë”. As në këto raste BE nuk reagoi , as kundër Serbisë e as kundër Dodiqit. Në një vend me 12.000 të vrarë, 1.648 të zhdukur, shumë femra të dhunuara, shumë të plagosur dhe të keqtrajtuar, me miliarda fonde të plaçkitura, me shkatërrime miliarda euro të pasurive private dhe shtetërore, me një spastrim etnik të përmasave të mëdha, nga presidenti i Serbisë, me një të kaluar kriminale u lejua që të lartësojë politikën gjenocidale të regjimit serb dhe kryekriminelit të këtij regjimi, Sllobodan Millosheviq, në vend që menjëherë të detyrohej të kthehej në shtetin që i bëri të gjitha këto krime, president i të cilës është.
Përsëri BE dhe disa diplomatë, në zbatim të standarteve të dyfishta, më shumë apo kryesisht u brengosën që iu kufizua “liria e lëvizjes” në ndërkohë që nuk iu pengoi gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve, mungesa e ndjeshmërisë elementare për viktimat, mosdistancimi nga e kaluara kriminale e Serbisë, e Millosheviqit dhe vet Aleksandër Vuçiqit.
Protestat e qytetarëve te Drenicës e penguan itinerarin shovenist të presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq si edhe e “kthjellën” kryeministrin Haradinaj që e tërhoqi lejen për të vizituar fshatin Banjë për të vazhduar me orgjinë nacionalistë dhe shovenistë siç e bëri në lokacionet e tjera që i vizitoi më parë e që kulmuan me shfrenimin e urrejtjes dhe glorifikimit të krimit në Mitrovicë. KMDLNj përkrah plotësisht protestën e banorëve të Drenicës dhe ndërprerjen e rrugëtimit “paqësorë” të presidentit të Serbisë, si protestë e arsyeshme, e nevojshme, e domosdoshme dhe paralajmëruese, si për një pjesë të udhëheqësve kosovarë ashtu edhe për burokratët e BE – së se situata mund të eskalojë lehtë kurse pasojat e mundshme do të adresoheshin pikërisht tek këta politikanë të papërgjegjshëm ndërkombëtarë dhe kosovarë.
Politikanët e pafuçishëm, të korruptuar, të papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm kosovarë, çdo lëshim të tyre përballë Beogradit e arsyetojnë me presionin e madh që i bëka nga BE dhe “miqtë ndërkombëtarë”. Këtë e bëri së fundi edhe z. Pacolli, me një dije politike të varfër dhe angazhim modest për postet që i mbanë, krejtësisht pameritueshëm, dhe KMDLNj e pyet se si do të reagonte nëse BE do të bënte presion që Kosova të bashkohej me Serbinë apo që duhet t’i japë një pjesë të territorit të saj Serbisë?! Policia e Kosovës është dashur të ndërhyjë duke e larguar flamurin e Serbisë nga diga e liqenit të Ujmanit dhe simbolet tjera që nxisin urrejtje në baza nacionale e që të tilla ishin shumë.
Qytetarët e Kosovës duhet të organizohen në mungesë të veprimit politik dhe të pengojnë karvanët nacionalistë dhe shovenistë nga Serbia kurse serbët e Kosovës duhet të kërkojnë përkrahje nga shumica shqiptare e cila edhe mbanë përgjegjësi për pakicën dhe të integrohen në institucionet e Kosovës e jo të mbesin peng i politikës së Serbisë.
Bashkësia ndërkombëtare, duke ua bërë të qartë edhe Serbisë si dhe serbëve të manipuluar se Kosova dhe institucionet e saj janë adresa ku duhet të kërkojnë realizimin e të drejtave të tyre do të kontribuojnë në integrimin e tyre. Në të kundërtën do të përsëritet e kaluara jo fort e largët që prodhoi aq shumë tragjedi në këto hapësira madje , tani në përmasa edhe më të mëdha sikur edhe në numrin e atyre që do ta pësojnë ashtu edhe në numrin e refugjatëve potencial.
Klasa politike në Kosovë, pozitë dhe opozitë duhet të marrë përgjegjësi konkrete në mbrojtje të integritetit territorial të Kosovës dhe ta shtrijë sovranitetin në gjithë hapësirën që i obligon Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet në fuqi. Ata që veprojnë në kundërshtim me këto parime duhet t’i nënshtrohen përgjegjësisë, nga ajo morale deri te ajo penale. Për të pamundësuar në të ardhmen situata sikur që ishte vizita e Vuçiqit, autoritet kosovare duhet ta zbatojnë 100% parimin e reciprocitetit sikur që e bëjnë të gjitha vendet në botë, demokratike apo jodemokratike.
Në këtë kontekst Kosova nuk mund të përjashtohet nga një rregull ndërkombëtarë siç është reciprociteti dhe Kosova nuk mund të detyrohet që për shkak të presionit të BE apo “ miqve ndërkombëtarë” të punojë kundër interesave të saj siç ka vepruar deri më tani .