KMDLNj kërkon të zbardhet vdekja e Agon Musliut, pas karantinimit në QS

Prishtinë | 04 Maj 2020 | 10:52 | Nga Ekonomia Online

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut përmes një komunikate ka kërkuar që të zbardhet vdekja e Agron Musliut, pas karantinimit në Qendrën e Studentëve.

Më tutje në komunikatë thuhet se personat që vendosen në karantinë kundër vullnetit të tyre konsiderohen si persona të privuar nga liria për aq kohë sa zgjat karantinimi.

Komunikata e plotë:

Më 3 maj 2020, në Konviktin e Qendrës së Studentëve në Prishtinë e që për shkak të rrethanave është shndërruar  në Karantinë ku vendosen të kthyerit nga jashtë në afat 14 ditësh apo deri të sigurohen, përmes testeve se nuk janë të infektuar nga COVID-19, në rrethana të dyshimta vdiq i riu 26 vjeçar, Agon Musliu i cili u kthye nga Gjermania ku ishte duke vijuar studimet për master.

Sipas dëshmitarëve, i ndjeri Agon Musliu kishte kërkuar të vetizolohet ne shtëpinë e familjes në Gjilan e që kjo kërkesë ishte refuzuar. Gjithashtu pohohet se i ndjeri Musliu kishte me vete dokumente shëndetësore për gjendjen e rënduar shëndetësore andaj e refuzonte karantinimin në këtë Qendër. Pasi edhe kjo nuk i bindi autoritetet që kishin përgjegjësi për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës, një ditë më pas u hodh nga kati i pestë i Qendrës dhe për shkak të lëndimeve të rënda ndërroi jetë.

KMDLNj ia përkujton opinionit se personat që vendosen në karantinë kundër vullnetit të tyre konsiderohen si persona të privuar nga liria për aq kohë sa zgjat karantinimi dhe autoritetet që kanë vendosur për karantinim të detyrueshëm kanë përgjegjësi konkrete për shëndetin dhe jetën e të privuarve nga liria gjatë karantinimit e që në rastin konkret kanë dështuar plotësisht. 

KMDLNj kërkon nga Prokuroria e Shtetit të bëjë hetime për rastin konkret për faktin se për shkak të papërgjegjësisë institucionale një i ri ka humbur jetën. Kjo tragjedi ka qenë e evitueshme nëse institucionet përgjegjëse nuk do zbatonin standarde të dyfishta, dikush dhunshëm vendoset në karantinë kurse tjetri për shkak të statusit në shoqëri dërgohet në shtëpi.

Prokuroria e Shtetit duhet të hetojë të gjitha rastet ku dyshohet se janë zbatuar standardet e dyfishta e për të cilat flitet sikur për një fshehtësi publike. KMDLNj kërkon që ky rast tragjik të mos keqpërdoret për përfitime politike por të solidarizohemi me familjen Musliu duke kërkuar dhe këmbëngulur që pergjegjësit të nxirren para drejtësisë dhe ta marrin dënimin e merituar. Agon Musliut i është mohuar e drejta elementare e njeriut, e drejta për jetë në emër të cilës janë vendosur masat shtrënguese e që Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur se janë në kundërshtim me Kushtetuten dhe të drejtat e njeriut.

KMDLNj kërkon që të rishqyrtohen masat e karantinimit duke ua mundësuar që këto masa të zbatohen edhe në mjedise të familjes ose, në raste të rënduar të gjendjes shëndetësore, atëherë duhet të dërgohen në institucione shëndetëdore.

Të ngjashme