KMDLNj në Prishtinë, për herë të parë, pas shumë ankesave të qytetarëve të Kosovës që dënoheshin për kundërvajtje në trafik e bëri një reagim publik. Autoritetet shqiptare ua shkelnin të drejtat e njeriut qytetarëve të Kosovës se reagimi kishte për qëllim që të sensibilizojnë autoritete në Shqipëri dhe në Kosovë për veprimet e policisë shqiptare ndaj qytetarëve të Kosovës që , përveç dënimit të shqiptuar , ua konfiskonin dokumentet duke i detyruar që pas 2-3 ditëve të vijnë në Shqipëri , për t’i marrë ato e që KMDLNj e pati cilësuar si shkelje e të drejtave të njeriut dhe përdorim të kushtëzimit për të marrë mito ose , nëse nuk e pranojnë këtë “ofertë” atëherë ua shqiptonin një dënim të lartë sikur edhe shpenzime shtesë gjatë detyrimit të ardhjes përsëri për kthim të dokumenteve të konfiskuara.
Në reagimin e KMDLNj –së, autoritetet shqiptare dhe kosovare bënë përpjekje t’i arsyetojnë këto veprime duke deklaruar se do t’i ndërmarrin të gjitha veprimet që qytetarët e Kosovës që bëjnë kundërvajtje në trafik t’i mos i nënshtrohen dënimit të dyfishtë; shqiptimi i dënimeve dhe konfiskimi i dokumenteve të cilat mund t’i tërheqin pasi të jenë paraqitur në gjykatën përkatëse, pas 3-4 ditëve. KMDLNj mbështet autoritetet shqiptare që t’ua shqiptojnë dënimin qytetarëve të Kosovës që e shkelin ligjin për komunikacion gjatë qëndrimit në Shqipëri mirëpo kërkon që duhet të krijohen mundësitë që t’i paguajnë dënimet në pikën më të afërt të paraparë për këtë, e jo t’i detyrojnë të kthehen pas 3-4 ditëve në Shqipëri për t’i marrë ato dokumente të konfiskuara. Kjo dukuri është e theksuar kryesisht në Milot, kur qytetarët e Kosovës kthehen në Kosovë. Procedura stërzgjatet deri në dy (2) orë dhe autoritetet shqiptare nuk e marrin në konsideratë as kur kanë të bëjnë me të moshuar apo të sëmurë. Ky veprim diskriminues i autoriteteve shqiptare rrezikon lirinë e lëvizjes, vlerë dhe standard demokratik i shteteve të BE –së, anëtar i së cilës synon të bëhet edhe Shqipëria.
Ky veprim i autoriteteve shqiptare (ndëshkimi i shumfishtë për një vepër kundërvajtjeje në trafik) paraqet shkelje flagrante të drejtave të njeriut dhe vështirë të ketë një bazë ligjore për këtë veprim i cili nuk zbatohet në asnjë vend të BE –së. Kjo dukuri është e theksuar sidomos gjatë fluksit të madh të qytetarëve të Kosovës në Shqipëri (sezonin turistik, ngjarje sportive, koncerte të ndryshme, fushata të partive politike, zgjedhje apo pushime të fundjavës). Në atë kohë ka patrullime të përbashkëta të policive të dy vendeve (të trafikut rrugorë) andaj nuk ka asnjë arsye për konfiskim të dokumenteve kur mund t’u shqiptohet dënimi i cili duhet të paguhet jo më vonë se 1-2 orë.
Nga burime të paverifikuara flitet se autoritetet kosovare dhe ato shqiptare kanë nënshkruar një marrëveshje që përligj këtë veprim diskriminues e që KMDLNj nuk e beson andaj kërkon sqarime nga Ministria për Punë të Brendshme e Kosovës, nga Policia e Kosovës dhe nga ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë.
KMDLNj nuk i mbron shkelësit e rregullave në trafik dhe nuk kërkon që ato të falen sepse është në dobi të rritjes së sigurisë në trafik mirëpo fuqishëm e kundërshton konfiskimin e dokumentacionit kur ajo mund të zëvendësohet me një masë tjetër, shqiptimi i dënimit dhe dëshmia për pagesën e dënimit. Kushtëzimi me konfiskimin e dokumentacionit përveç se është shkelje e të drejtave të njeriut paraqet edhe vepër penale.
KMDLNj kërkon sqarime nga autoritetet shqiptare dhe kosovare nëse është nënshkruar kjo marrëveshje midis dy vendeve e që është thellësisht diskriminuese , në të kundërtën duhet të ndëprehën këto veprime diskriminuese, shkelje e të drejtave të njeriut siç është shqiptimi i dënimit, konfiskimi i dokumentacionit dhe detyrim i paraqitjes në Gjykatë ose te autoritetet tjera, si kusht për rikthim të dokumenteve. Nëse ka ndonjë marrëveshje eventuale midis dy vendeve atëherë ajo duhet të funksionojë sipas modelit të Byrove të Sigurimeve midis dy vendeve.