Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar rreth pengimit të serbëve për ta realizuar vizitën e tyre në fshatin Studenicë të Istogut, nga banorët shqiptarë.
Në reagimin e KMDLNj-së thuhet se ky pengim është shkelje e të drejtave të njeriut dhe kufizim i lirisë së lëvizjes, dhe si i tillë, sipas KMDLNj-së, është i papranueshëm.
Reagimi i plotë:
“Më 21 tetor 2018 një grup i serbëve që aktualisht jetojnë si persona të zhvendosur në Serbi , ndryshe banorë të komunës së Istogut, në mënyrë të organizuar vizituan fshatin Studenicë të kësaj komune përkatësisht manastirin në këtë fshat apo rrënojat e mbetura të këtij manastiri. Gjatë vizitës hasën në kundërshtim të banorëve shqiptarë të cilët bënë përpjekje të bllokojnë rrugën për të penguar lëvizjen e autobusit pas së cilës intervenoi policia e Kosovës që ndaloi 11 persona dhe ndaj 6 të ndaluarve filloi procedura për prishje të rendit publik. Gjatë kundërshtimit , disa protestues hodhën gurë në drejtim të autobusit duke thyer disa xhama mirëpo nuk pati të lënduar në mesin e udhëtarëve. Realisht , qytetarët e zhvendosur serbë kohëve të fundit po e vizitojnë Kosovën nën petkun e pelegrinëve në vend se ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të pakundërshtueshme për t’i vizituar pronat e tyre dhe për t’u kthyer në këto prona apo për t’i shfrytëzuar sipas vullnetit të tyre.
KMDLNj e mbronë të drejtën e të gjithë personave të zhvendosur të kthehen në pronat e tyre , si njëra prej të drejtave elementare të njeriut dhe kjo e drejtë nuk mund të kushtëzohet me asgjë ; as në bazë të përkatësisë etnike , bindjeve fetare apo politike , statusit shoqërorë , gjendjes materiale , moshës apo dyshimit për përfshirje në ndonjë aktivitet inkriminues . Pengimi i qytetarëve serbë , tash me status të zhvendosur për t’i vizituar pronat e tyre apo kultet fetare është shkelje e të drejtave të njeriut dhe kufizim i lirisë së lëvizjes dhe si i tillë është i papranueshëm. Paragjykimi i fajësisë apo përfshirjes në krime eventuale kundër popullsisë së pafajshme nuk mund të shërbejë apo përdoret si pretekst për kufizim të lirisë së lëvizjes dhe shfrytëzimit të pronave aq më parë që për caktimin e përgjegjësisë eventuale përgjegjëse janë gjykatat e rregullta në Kosovë , në përgjithësi dhe Gjykata Themelore në komunat përkatëse , në veçanti.
Është e papranueshme që thuaja 20 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë të rrezikohet liria e lëvizjes e motivuar në baza etnike apo për shkak të paragjykimit për përfshirje në krime eventuale në ndërkohë që edhe më parë ka pasur vizita të serbëve të zhvendosur nga kjo komunë , të atyre që janë kthyer e që nuk ka pasur veprime të dhunshme . Pala pranuese , në rastin konkret ajo shqiptare , si shumicë absolute ka përgjegjësi për ata që duan të kthehen kurse , të gjithë ata që kanë dëshmi konkrete se dikush nga të kthyerit mbanë përgjegjësi për krime lufte ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë , duhet t’i drejtohet Policisë së Kosovës dhe prokurorisë pas së cilave , në rast se sigurohen dëshmi , ndaj të dyshuarve duhet të zhvillohet një procedurë gjyqësore dhe vetëm gjykata është përgjegjëse për caktimin e shkallës së përgjegjësisë dhe të fajësisë , pas administrimit të provave.
KMDLNj kërkon nga pala pranuese të tregojë vetpërmbajtje dhe respektim të drejtës së pronës sikur edhe nga Policia e Kosovës të jetë më e organizuar dhe më efektive gjatë vizitave të tilla në mënyrë që të sigurohet liria e lëvizjes për të gjithë dhe siguria e qytetarëve , pa asnjë dallim. Ky është mandati dhe detyrimi i Policisë së Kosovës .
KMDLNj mendon se këto vizita duhet të mbështeten edhe nga autoritetet lokale të cilat përfaqësojnë interesin e të gjithë qytetarëve të komunës , gjithashtu pa bërë asnjë diskriminim në çfarëdo baze.
KMDLNj edhe në të ardhmën do ta përkrahë të drejtën që të gjithë personat e zhvendosur të kthehen në pronat e tyre duke e gjykuar si të papranueshëm dhe kundër të drejtave të njeriut çdo kushtëzim.
KMDLNj inkurajon të gjithë të zhvendosurit të kthehen në pronat e tyre që i kanë lëshuar për shkaqe objektive apo subjektive dhe në këtë drejtim i jep përkrahje të plotë institucioneve lokale dhe qendrore sikur edhe Policisë së Kosovës .