KMDLNJ kundër pagesës së mësimdhënësve për kohën sa ishin në grevë

Prishtinë | 01 Shk 2019 | 13:40 | Nga Ekonomia Online

Perandori i Romës, Neroni ia futi flakën Romës për të fituar inspirimin që nënkuptohet se motivi i tij ishte artistik kurse, demagogu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj i futi flakën arsimit të Kosovës dhe i cili, si edhe Neroni e kishte motivin personal, rritjen e pagës, pra motivi ishte krejtësisht i natyrës materiale. Para fillimit të çdo viti shkollorë, demagogu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka kërcënuar me greva, pengim dhe sabotim të procesit arsimorë për shkak të rritjes së pagave.

Nuk e keni asnjë rast të vetëm kur demagogu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka kërkuar e lëre më të ketë kërcënuar me grevë me kërkesë të ngritjes së cilësisë të arsimit, përmirësimit të kushteve për nxënës, pajisje të kabineteve, angazhim të psikologëve, kontrollë të përhershëm të shëndetit të nxënësve, ndihmë për nxënësit me gjendje të rëndë materiale, sigurim të transportit për nxënës që detyrohen të ecin 10-tra kilometra këmbë deri te shkolla dhe anasjelltas, përfshirjen e nxënësve të gjinisë femërore në shkollim e që po e ndërprejnë shkollimin, krijimin e kushteve për shkollim për grupet e cënueshme (komunitetet romë, ashkalinjë dhe egjiptas, personat me aftësi të kufizuara) etj.

Demagogu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka kërcënuar se, nëse nuk përmbushen kërkesat ultimative dhe shantazhuese për rritje të koeficientit sa e kanë paraparë ata, atëherë, nxënësit kosovarë mund ta humbin vitin shkollorë. Për më shumë se tre javë e ka jetësuar këtë shantazhim.

Demagogu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, me shpurën përfituese përcjellëse, për tri javë e paralizuan arsimin në Kosovë, që nga niveli parashkollorë, deri te ai i lartë që nënkupton Universitetin publik të Prishtinës dhe universitetet tjera publike, pjellë e premtimeve elektorale që në mënyrë seriale kanë prodhuar analfabetë funksionalë.

Burimi i protestës së SBASHK-ut, në krye me demagogun Rrahman Jasharaj ka qenë i orkestruar nga politika sikur që ehe përfundimin (pas marrëveshjes së datës 01.02.2019) e ka gjithashtu të kushtëzuar nga politika.

KMDLNj, që nga dita e parë e grevës këtë avanturë të SBASHK-ut, me demagogun Rrahman Jasharaj e ka cilësuar dhe denoncuar si shkelje të rëndë e të drejtave të njeriut përkatësisht shkelje e rëndë e të drejtave për shkollim dhe zhvillim, duke kërkuar përgjegjësi për këtë.

KMDLNj, ka kërkuar që prindërit të mos i nënshtrohen shantazhit të personave të papërgjegjshëm që interesin personal e vënë mbi interesin e një kategorie më të ndjeshme dhe e cila është përcaktuese për zhvillimin dhe të ardhmen e Kosovës, e atyre që duan dhe duhet të shkollohen. Sipas KMDLNj-së, Këshilli i prindërve ka përgjegjësi për faktin se është dashur t’i dërgojnë fëmijët e tyre në objektet dhe institucionet arsimore.

KMDLNj, ka kërkuar që prindërit të mos paguajnë shpenzimet që nuk iu janë ofruar për fëmijët e tyre që i kanë pasur në institucionet parashkollore dhe çerdhet. Askund në botë nuk keni detyrim të paguani shërbimet që nuk iu janë ofruar, apo, që është edhe më keq, për shërbimet që iu janë mohuar për shkak të përfitimeve personale.

Pas përfundimit të grevës janë krijuar të gjitha kushtet të bëhet vlerësimi i dëmit që i është shkaktuar arsimit në Kosovë për shkak të grevës shatazhuese dhe në përputhje me përgjegjësitë të caktohen edhe masat.

Në çdo vend të botës, në rast se sindikatat organizojnë greva e që është e drejtë e tyre ku as Kosova nuk bënë dhe nuk duhet të bëjë përjashtim, në rast të grevave afatgjata sindikatat sigurojnë mjete materiale për ata që përfshihen në grevë. Edhe në rastin e grevës së SBASHK-ut,sindikata e arsimit është dashur të bëjë vlerësimin e mundësive materiale e pastaj të hyjë në grevë afatgjate. Në asnjë vend të botës shteti nuk duhet dhe nuk paguan për greva që për qëllim e kanë rrënimin e themeleve të shtetit dhe greva e SBASHK-ut ishte pikërisht e kësaj natyre.

KMDLNj, kërkon të ngritet një komision hetimor që do të merrej me caktimin e përgjegjësisë konkrete të Ministrit të Financave, z. Bedri Hamza i cili ua ka paguar pagat atyre që thuaja një muaj e kanë bojkotuar dhe sabotuar punën. Nëse ky rast kalohet pa u caktuar përgjegjësia dhe pa u marrë masat ligjore në përputhje me shkallën e përgjegjësisë, atëherë do të legalizohej një presedan me ç’rast mund të mos punoni për muaj të tërë dhe për mos – punë apo edhe për dëmin që e keni bërë, do të paguheni sikur të ishit punëtorë shembullorë!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme