KMDLNj-ja ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Shërbimin Korrektues të Kosovës, përkatësisht me shfuqizimin e vendimit nr.2308 i datës 17.12.2017 me të cilin anulohet konkursi pas të cilit Nehat Thaçi, pas një procesi të paraparë sipas ligjit është zgjedhur Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Reagimi i plotë:
“Që nga përfundimi i luftës në Kosovë , Shërbimi Korrektues i Kosovës ka kaluar një rrugëtim me shumë ngritje dhe rënie , me mungesë të kuadrit profesional dhe përpjekje për kompensim të mungesës së këtij kuadri përmes trajnimeve , me mungesë të oficerëve korrektues për këtë lëmi sidomos për punë me të mitur dhe femra të privuara nga liria , ndërhyrjes së plotë të politikës vendore dhe ndërkombëtare , mungesës së vendimmarrjes efektive për shkak të vartësisë së kierarkisë nga vendimmarrësit e vërtetë , ndërrimit të shpesht dhe të imponuar të kuadrit menaxhues kryesisht për shkaqe politike , kushteve të rënda të punës të stafit korrektues , udhëheqja e gjatë dhe e kundërligjshme e institucioneve të paraburgimit dhe atyre korrektuese me ushtrues të detyrës , buxheti i centralizuar dhe i pamjaftueshëm , mungesa e zbatimit të masave alternative të dënimit , kurdisja e tenderëve , monopoli i firmave që kanë përfituar tenderë pameritueshëm por me përkrahjen e politikës , mungesa apo zbatimi i pamjaftueshëm i masave stimuluese për të dënuarit ( vikendet , lirimi i parakohshëm , falja nga Presidenti , mungesë e Ligjit për Amnesti ) , trajtimi jo i barabartë i personave të dënuar apo të privuar nga liria në një formë a tjetër dhe kushte të tjera të cilat kanë ndikuar në ngritjen e cilësisë së SHKK dhe që kanë penguar konsolidimin e këtij shërbimi specifik e që ndërlidhet edhe me sigurinë e përgjithshme. Këtë rrugëtim të SHKK e ka monitoruar , që nga përfundimi i luftës KMDLNj , i përkrahur nga KFOS në përpjekje që të sigurohet një transparencë dhe llogaridhënie e atyre që ishin përgjegjës për krijimin dhe zbatimin e politikave për këtë pjesë të margjinalizuar të shoqërisë kosovare dhe shtetas të huaj e që përkohësisht ishin të privuar nga liria. KMDLNj , por edhe organizatat tjera monitoruese shumë herë ishin në pozitën e këshilldhënësit përmes rekomandimeve , pas problemeve të identifikuara e që kanë ndikuar , në radhë të parë për për ngritjen e cilësisë profesionale të oficertëve të SHKK dhe , rrjedhimisht edhe për trajtimin më të mirë të të privuarve nga liria e që ka pasur përmirësime të dukshme dhe të prekshme. KMDLNj , dhe organizatat tjera monitoruese nuk janë sjellur si kritikues apo pasqyrues të gjendjes vetëm me ngjyra të errëta por kanë vepruar , në shumë raste edhe si partnerë. Përveç monitorimit , në shumë raste kemi ndërmjetësuar në rast se na është kërkuar për tejkalimin e situatave që e kanë rrezikuar shëndetin e të privuarve nga liria , të stafit apo sigurinë në këto institucione. KMDLNj , por edhe organizatat tjera kanë qenë , në disa raste pjesë e panelit intervistues për pozita të larta në SHKK sikur që ka pasur bashkëpunim shumë të mirë me këto institucione të cilat , në asnjë rast të vetëm nuk i kanë penguar organizatat monitoruese në përmbushje të mandatit të tyre.
KMDLNj shfaq brengosje për zhvillimet e fundit në SHKK përkatësisht me shfuqizimin e vendimit nr.2308 i datës 17.12.2017 me të cilin anulohet konkursi pas të cilit z. Nehat Thaçi , pas një procesi të paraparë sipas ligjit është zgjedhur Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës . KMDLNj , nuk ka qenë pjesë e Panelit për Vlerësimin e Kritereve e as që e ka monitoruar këtë proces ,mirëpo konstaton se pas marrjes së detyrës , Drejtori i Përgjithshëm i SHKK ka ndërmarrë veprime që e kanë përmirësuar dukshëm punën e SHKK duke krijuar një dinamikë të re dhe duke e rritur nivelin e përgjegjësisë dhe transparencës. Siç thuhet , SHKK hyri në rrugë të mbarë duke hapur mundësi për përmirësim më të madh , si për oficerët korrektues , stafin e këtij shërbimi si edhe trajtimin e personave të privuar nga liria.
Vendimi nr.4633/2018 të datës 13.08.2018 i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës e kthenë në pikën zero pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të SHKK aq më parë që ky vendim është detyrues për Ministrinë e Drejtësisë , MAP dhe SHKK dhe se duhet të zbatohet në afatin prej 15 ditësh dhe se çdo ankesë kundërshtuese ndaj vendimit nuk e ndalon ekzekutimin e këtij vendimi .
KMDLNj , nuk e komenton vendimin e KPMSHCK sepse e respekton pavarësinë që ia garanton Kushtetuta e Kosovës andaj është kundër çdo ndërhyrje ndaj këtij institucioni të pavarur , qoftë nga institucionet vendore apo ato ndërkombëtare të cilat duhet ta respektojnë dhe përkrahin këtë pavarësi dhe të njëjtën kohë kërkon nga Komisioni për Vlerësimin e Kritereve që të jetë më i kujdesshëm gjatë vlerësimit të radhës nëse një kandidat i ka përmbushur kushtet e parapara me ligj e që futen në konkurs për një pozitë të lartë udhëheqëse. KMDLNj kërkon që shumë seriozisht të shqyrtohet rekomandimi i Avokatit të Popullit për rastet e veçanta të llogaritjes së stazhit të punës e që ndërlidhet me rastin në fjalë , pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Zhvillimet e fundit në SHKK –ës, KMDLNj i konsideron si prapakthim dhe kontribut konkret në aspektin negativ për konsolidimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës i cili, përkundër shumë problemeve të listuara më lart , ka bërë punë të mirë dhe mund të llogaritet si njëri ndër shërbimet më të suksesshme në rajon”.