Ditë më parë, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, z.Kosnet, reagoi duke kundërshtuar, siç thotë ai lirimin e një të dënuari për krime lufte për “rastin e Kukësit” nga Ministria e Drejtësisë përkatësisht ministri, z. Abelard Tahiri. Ishte pastaj një reagim sqarues i ministrit Abelard Tahiri i cili nuk e përmbylli rastin për shkak se opinioni në të shumtën e rasteve të tilla nuk ka informacione për mënyrën e lirimit të të dënuarve dhe se nën përgjegjësinë e kujt është lirimi i të dënuarve. KMDLNj ka pasur informata se për të cilin të dënuar është fjala e që pastaj u bë publik emri i tij përkatësisht bëhet fjalë për Sabit Gecin.
Tash, për opinionin duhet të sqarohet se në asnjë rrethanë ministri i Drejtësisë, në rastin konkret Abelard Tahiri nuk ka të drejtë të nënshkruaj lirimin e një të dënuari. Lirimin e të dënuarve e bënë vetem Paneli për Lirim me Kusht, në rast se vlerëson se janë plotësuar kushtet sikur që këtë të drejtë e ka Presidenti i Kosovës, me rekomandim të Komisionit.
Në rastin Sabit Geci, për aq sa ka informata KMDLNj-ë kemi të bëjmë me pezullimin e dënimit për gjendje të rënduar shëmdetësore dhe dhënia e mundësisë për shërim për të dënuarin jashtë institucioneve korrektuese dhe, në disa raste jashtë territorit të Kosovës.Nga aspekti i drejtave të njeriut duke marrë parasysh gjendjen jashtëzakonisht të rëndë shëndetësore të Sabit Gecit, vendimi për pezullim të dënimit është i drejtë. KMDLNj ishte dhe angazhohet që në raste ekstremisht të rënduara shëndetësore, duhet të pezullohet dënimi siç ishte rasti D.H .
KMDLNj ka kundërshtuar dhe kundërshton trajtimin diskriminues të personave të dënuar sepse në institucionet e paraburgimit dhe të burgjeve ka raste përafërsisht të ngjashme apo edhe më të rënda se S.G. e të cilëve nuk u është pezulluar dënimi dhe për pasojë kanë vdekur në burgje apo kanë gjasa të vdesin në burgje.
KMDLNj e ka kundërshtuar dhe kundërshton që të dënuarit që nuk kanë probleme të mëdha shëndetësore të përfitojnë në dëm të atyre që e kanë gjendjen e rëndë shëndetësore. Kjo është kategoria e VIP të të burgosurve e cila ka qenë nëpër burgjet e Kosovës që nga përfundimi i luftës e deri më sot.
Për këtë arsye është i domosdoshëm ndërtimi i një spitali vetëm për të burgosur brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës ndërsa të ashtuquajturat “Dhoma të Sigurta” jo se nuk bëjnë zgjidhje por vetëm se e përligjin diskriminimin e të dënuarve dhe e legalizojnë korrupcionin. Që nga përfundimi i luftës në Kosovë e kanë pësuar vetem dy kategori brenda ShKK-ës:
1.personeli shëndetësorë që janë detyruar nga njerëz të fuqishëm ( me urdhëra politik apo korrupcion) të lëshojnë dëshmi të rreme për gjendjen shëndetësore e të dënuarve, dhe
2.oficerë korrektues që kanë pësuar gjatë transportit të privuarve nga liria në spitale apo QKUK apo gjatë ruajtjes në këto institucione të personave të privuar nga liria. Një numër i madh i tyre ka përfunduar me aktakuza të ngritura apo janë në procese gjyqësore.
Reagimin e ambasadorit Kosnet, KMDLNj nuk e merr si kërcenim ndaj gjyqësorit apo Ministrisë së Drejtësisë, në rastin konkret ndaj ministrit Tahiri por si sinjalizim ndaj trajtimit diskriminues të personave të privuar nga liria përkatësisht të atyre me përkrahje të fuqishme politike dhe status të fuqishëm material dhe shoqërorë sa ishin të padënuar. Duhet të thuhet e vërteta se dhe sot personave të fuqishëm e që janë të privuar nga liria rrallë kush ka guxim t’ua “prish tymin e duhanit”. Kjo dukuri duhet të luftohet e që nuk është bërë në mënyrë të mjaftueshme deri më sot.
Vetëm duhet të bëhet një qartësim se çka nënkupton lirimi me kusht, lirimi nga presidenti, përfundimi i rregullt i dënimit dhe ndërprerja e përkohshme e dënimit për shkaqe shëndetësore apo të tjera.