KMDLNj-ë ka reaguar disa herë duke kundërshtuar çmimet e larta e që në të shumtën e rasteve janë në kundërshtim me mundësitë e shumicës së qytetarëve të Kosovës për të paguar testet serologjike dhe testet për Covid-19 e që janë përgjegjësi e shtetit.
Sipas tyre, AKK , ditë më parë, në një konferencë për media doli me një konstatim e që ishte më tepër lavdërim se laboratoret private të licencuara ( 118 ) është numri i tyre po punojnë si është më së miri në ndërkohë që KMDLNj-së janë ankuar qytetarët se çmimet janë të larta dhe se duhet bërë disa analiza që janë të kushtueshme e që mbase nuk duhet të bëhen të gjitha.
“AKK vetëm sa nuk i propozoi presidentit Thaçi që laboratoret e licencuara private të dekorohen me Çmimin për Humanizëm. Tash po del se një laborator privat, për një test ka marrë 200 euro e që është çmim i lartë edhe për Klinikën Mayo e lëre më për një laborator privat që është licencuar shpejt dhe të cilit i është dhënë monopoli 100% në Kosovë”, thuhet në reagimin e tyre.
Në vend se Ministria e Shëndetësisë të kërkoi hetime për këtë çmim, ajo në fakt e luan rolin e Avokatit të këtij laboratori duke e arsyetuar çmimin me kohën e shkurtër të analizës dhe rezultateve. Ky veprim i Ministrisë së Shëndetësisë përveç se është konflikt i pastërt interesti, në të njëjtën kohë është i liruar nga çdo skrupull, moral, profesional dhe institucional. Ministria e Shëndetësisë është e detyruar të krijojë politika për mbrojtjen e shëndetit publik të qytetarëve e jo të mbrojë intereset e laboratoreve private që janë licencuar , pa siguruar asnjë transparencë , pa një mbikëqyrje efektive të punës së tyre dhe pa ofruar fare llogaridhënie.
Që nga shpërthimi i pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete të konsiderueshme nga Buxheti i Kosovës, si për ministrinë e udhëhequr nga ministri Vitia ashtu edhe nga ministria e udhëhequr nga ministri Zemaj sikur që ka pasur shumë donacione ndërkombëtare , në para dhe materiale shëndetësore por se situata vetëm sa është përkeqësuar, është rritur shumë numri i të infektuarve e sidomos atyre që kanë përfunduar me fatalitet.
Në vend se shteti të investojë në fuqizimin e institucioneve shëndetësore publike duke e rritur numrin e testeve pa pagesë ( të cilat janë më të ulët në rajon ), janë licencuar shkel e shko shumë laboratore private që nuk kanë as kapacitet e as ekspertizë të mjaftueshme për këtë duke krijuar situatë sikur në Shkodër ku testin për Covid-19 mund ta merrni për aq kohë sa ta porosisni një hamburger për një shumë të caktuar parash, me rezultat pozitiv nëse ju hynë në punë apo negativ, sipas të njëjtit parim. Ministria e Shëndetësisë, në vend se të rrisë numrin e testeve e që do të kontribuonte në menaxhimin më të mirë të pandemisë sikur edhe do të kursente qytetarët e Kosovës nga shpenzimet që janë përgjegjësi e Shtetit, duke e mbajtur numrin e testimeve afërsisht 450-500 e kohëve të fundit edhe duke e ulur këtë numër i detyron qytetarët e Kosovës të shkojnë në laboratoret private që ia bëjnë si të duan dhe çka të duan.
KMDLNj -ë ka informata se ka gatishmëri të një përkrahjeje ndërkombëtare në mënyrë që numri i testimeve të rritet në 5000 – 6000 testime në ditë, të bëhen falas por se pret kundërshtim në realizimin e këtij projekti nga grupet e interesit që nuk kanë interes të fuqizohet shëndetësia publike.