KMDLNj: Plotësimi i ligjit për skemat pensionale, ambalazhimin e ka mashtrues ndërsa përmbajtjen dëshpëruese

Prishtinë | 02 Gus 2023 | 15:00 | Nga Ekonomia Online

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) vlerëson se plotësimi i Ligjit nr. 04/l-131 për skemat pensionale nuk i plotëson kërkesat e pensionistëve.

Në një komunikatë për medie, KMDLNj thekson se ky ndryshim i ligjit nuk paraqet asnjë zgjidhje vetëm sa e zgjatë agoninë e pensionistëve të cilët përballen me probleme ekzistenciale, në mungesë të bashkëpunimit me partnerët socialë dhe improvizimeve të këtij ligji që ambalazhimin e ka mashtrues ndërsa përmbajtjen dëshpëruese.

“Propozuesi i këtij Ligji, Qeveria e Kosovës nuk ka dalë me propozim konkret për rritjen e pensioneve që nënkupton se po luhet një lojë për të fituar kohë. KMDLNj mendon se pensionistët duhet të kompensohen për kohën sa kanë qenë të diskriminuar me paragrafin 2 të nenit 8 e jo që kjo kohë të mbulohet me atë se asnjë ligj nuk prodhon efekt retroaktiv”.

REAGIMI I PLOTË:

Aktgjykimi KO190/19 i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e shfuqizoi një dispozitë diskriminuese të Ligjit për Skemat Pensionale, përkatësisht paragrafin 2 të nenit 8 që ua pamundësonte pensionistëve që nuk kishin 15 vite përvojë pune para vitit 1999 duke ua lejuar vetëm pensionin e moshës (100 euro) pavarësisht përgatitjes shkollore, postit dhe kontributin që e kishin dhënë në periudhën e lartpërmendur duke ua mohuar pensionin kontributdhënës.

Kjo parregullsi dhe diskriminim ishte vendosur në Ligjin e miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2014 e që bazohej në dy ligje; Ligjin për Sigurimin Pensional Invalidor në Gazetën Zyrtare të Krahinës Autonome të Kosovës dhe me Ligjin federativ të ish – Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë. Në fakt, pasi Gjykata Supreme e Kosovës ngriti dyshime të bazuara për kushtetushmërinë e paragrafit 2 të nenit 8, Gjykata Kushtetuese nxori vendimin shfuqizues dhe Ligji, me ndryshime dhe plotësime u votua me 27 .07. 2023 në Kuvendin e Kosovës, në leximin e parë. Historia e kundërshtimit të këtij neni diskriminues filloi menjëherë pas miratimit të ligjit në vitin 2014 nga sindikatat e pavarura të administratës dhe policisë sikur që u përkrah gjatë tërë kohës nga KMDLNj–ë. Realisht, gjatë gjitha takimeve me përfaqësues të institucioneve (ministra, kryeministra, kryetarë të Kuvendit dhe deputetë) fitohej përshtypja se mungesa e mjeteve financiare për njohjen apo kompensimin e stazhit kontributpagues për të gjithë ata që ishin dëbuar nga puna, që nga fillimi i viteve të 90 – a prandaj iu mungonte përvoja e nevojshme.

Mbështetur në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në Kosovë janë 143.522 shfrytëzues të pensionit bazik të moshës që marrin nga 100 euro në muaj ndërsa 46 625 janë pensione kontributpaguese të moshës që marrin nga 198 deri në 280 euro në muaj, varësisht nga përgatitje shkollore. Numri i atyre që diskriminohen shkaku i paragrafit 2 të nenit 8 është jashtëzakonisht i madh ndonëse nuk dihet sa janë.

Me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit ekzistues, llogaritet se do të përfitojnë 74.000 pensionistë. Pas kësaj, sindikatat iniciuese për ndryshimin e ligjit ekzistues, sidomos pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës bënin presion, fillimisht te deputetët e Kuvendit ta miratojnë Ligjin duke kërkuar zbatimin e menjëhershëm të tij pa e analizuar fare Ligjin e propozuar nga qeveria që, në fakt, sipas llogarive të qeverisë do të ketë përshkallëzim të rritjes e jo rritje lineare ku ata me përgatitje të mesme shkollore marrin 198 euro në muaj kurse ata me përgatitje të lartë i marrin 280 euro.

Sikur sindikatat të analizonin propozimin e qeverisë atëherë do të zhgënjehen me këtë rritje e cila shkon nga 5 euro në muaj e, në rast më të mirë në disa dhjetëra euro më shumë. Kjo, as për së afërmi nuk i përmbushë kërkesat e sindikatave dhe nevojat e pensionistëve, madje konsiderohet më shumë si lëmoshë se që është vlerësim i kontributit të tyre. Në kohën kur shtetet e rajonit, gjatë tre viteve të fundit i kanë rritë 5 herë e më shumë pensionet, Kosova nuk e ka bërë asnjë rritje – hiç këtu kur qeveria ka dhënë dy herë nga 100 euro (për dy vite e gjysmë të mandatit) sa për vitra.

Ky ndryshim i Ligjit për KMDLNj-në nuk paraqet asnjë zgjidhje vetëm sa e zgjatë agoninë e pensionistëve të cilët përballen me probleme ekzistenciale, në mungesë të bashkëpunimit me partnerët socialë dhe improvizimeve të këtij Ligji që ambalazhimin e ka mashtrues ndërsa përmbajtjen dëshpëruese.

Propozuesi i këtij Ligji, Qeveria e Kosovës nuk ka dalë me propozim konkret për rritjen e pensioneve që nënkupton se po luhet një lojë për të fituar kohë. KMDLNj mendon se pensionistët duhet të kompensohen për kohën sa kanë qenë të diskriminuar me paragrafin 2 të nenit 8 e jo që kjo kohë të mbulohet me atë se asnjë ligj nuk prodhon efekt retroaktiv.

Nëse informatat e KMDLNj-së dalin të sakta, atëherë jo vetëm për pensionistët por për të gjithë përfituesit e skemave sociale do të kemi përkeqësim të gjendjes së tyre materiale. Nuk ka asnjë logjikë që njësojë të trajtohen një kohë aq të gjatë pensionistët në bazë të moshës, pa asnjë ditë shkollë dhe pa asnjë ditë pune, me ata që kanë përgatitje të larta shkollore dhe profesionale e që kanë kontribuar në të gjitha fazat e ndërtimit të shtetit dhe, pikërisht për shkaqe politike janë larguar nga puna nga regjimi jugosllav dhe serb.

Në çdo shtet normal, individë të merituar trajtohen me pensione të merituara. Vetëm në Kosovë ndodhë që sekretari i Kuvendit të Kosovës, me përvojë të pandërprerë pune 17-vjeçare si sekretar, të trajtohet aq pa dinjitet duke ia caktuar një pension prej 100 euro aq sa merr edhe xha Sula duke ruajtur bagëtinë e fshatit dhe duke i rënë fyellit apo kavallit! Për çfarë të drejta të njeriut apo drejtësi sociale mund të flasim!

Të ngjashme