Për shkak të përkeqësimit të gjendjes ekonomike , sociale dhe shëndetësore të shkaktuar nga COVID-19, një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës janë vënë afër pragut ekzistencial me tendencë që varfërimi i skajshëm të përfshijë një numër edhe më të madh.
Grupet e cenueshme , sikur të moshuarit, të sëmurët me sëmundje kronike, kategoritë e skemës sociale janë në gjendje të rëndë. Edhe kategoritë e dala nga lufta nuk janë aspak në gjendje të mirë. Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit vuajnë nga një mungesë e përkujdesjes së shtuar e që reflekton në përkeqësim të gjendjes ekonomike sikur edhe thellim të vuajtjeve shpirtërore. Shteti duhet të tregojë kujdes të shtuar, për aq sa ka mundësi për personat e hendikepuar dhe personat që janë të privuar nga liria.
Sipas informatave të KMDLNj-së nga terreni, pjesëtarët e komunitetit romë janë në gjendje shumë të rëndë materiale për shkak të papunësisë së madhe dhe diskriminimit që iu është bërë më herët në këtë aspekt e që është arsyetuar me mungesën e shkollimit ndonëse numri i të punësuarve romë ka qenë simbolikë edhe aty ku nuk ishte kërkuar ndonjë kualifikim profesional. Me masat kufizuese edhe ato punë që i kanë bërë si mbledhja e kanaçeve, shisheve të plastikës , hekurishtave dhe materialeve të reciklueshme është vështirësuar shumë.
Edhe komuniteti ashkalinj dhe egjiptas janë të prekur nga varfërimi që po ndikon nê kualitetin e jetës së tyre.
Në këtë kontekst në të cilin dikush po jeton e dikush po bënë përpjekje të mbijeton e që ka gjasa përkeqësimi, qeveria e Kosovës duhet të ndihmojë pjesëtarët e grupeve të margjinalizuara duke i liruar, qoftë edhe për një afat të caktuar nga pagesa e detyrimeve dhe shërbimeve komunake si rryma, uji, mbeturinat, ngrohja etj.,aq më parë që pjesëtarët e komunitetit serbë nuk i paguajnë këto detyrime ndonëse kanë mundësi materiale shumë më të mëdha se komunitetet e margjinalizuara e që janë identifikuar nga KMDLNj-ë.
Pasi jemi në prag të dimrit , qeveria e Kosovës, përmes qeverive lokale duhet t’i furnizojë me dru dhe lëndë tjera djegëse sikur edhe të sigurojë gjëra të domosdoshme ushqimore dhe higjienike.
KMDLNj është thellësisht i brengosur që këto grupe të margjinalizuara, me një paqëndrueshmëri të madhe ekonomike dhe thuaja të pamundësuar për një integrim social nuk furnizohen falas me mjete mbrojtëse kundër infektimit me COVID-19 dhe se nuk iu nënshtrohen testimit falas në kohë kur ata kanë nevojë. KMDLNj thërret qeverinë e Kosovës të intervenojë shpejt në mënyrë që grupet e margjinalizuara të mos privohen nga të drejtat që iu takojnë e që deri më tani nuk ka qenë krejtësisht në përputhje me standardet, qoftë edhe minimale për respektimin e të drejtave të njeriut.
Në veçanti KMDLNj thërret institucionet e Kosovës të ndalin proceset e përmbarimit për individë që nuk kanë asnjë mundësi t’i shlyejnë detyrimete mëparshme.