KMDLNj ka reaguar ndaj vendimit të presidentit Hashim Thaçi për dekretimin e Radomir Labanit si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.
Reagimi i plotë:
“Pas disa pritjeve dhe pasi përfundoi procesi i “verifikimit” për të kaluarën e tij, presidenti Thaçi e dekretoi z. M. Llaban për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës përkundër kundërshtimit të prerë të KMDLNj – së dhe organizatave tjera joqeveritare që veprojnë në Kosovë. Z. Llaban është i dënuar në Serbi me një vendim të pakundërshtueshëm të një Gjykate për vepër penale të korrupcionit dhe pjesëmarrje në një grup të organizuar krimininal i quajtur “Mafia Doganore”. Pasi i është shmangur vuajtjes së dënimit duke ikur në Kosovë, Serbia e ka futur në listën e kërkimit ndërkombëtar apo në Listën e Interpolit ku figuron edhe sot, tash si gjykatës i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Z. Llaban, sipas informatave që i ka KMDLNj – ë, gjatë viteve 2011 – 2012 ka marrë pagë nga Buxheti i Kosovës, si i punësuar në Gjykatën Kushteuese dhe nga Buxheti i Serbisë, si i punësuar në Doganën e Serbisë. Deri më tani Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka qenë skajshmërisht e politizuar ku përzgjedhja e gjyqtarëve është bërë, jo në bazë të kritereve profesionale por në baza të përkatësisë dhe dëgjueshmërisë politike kurse, me dekretimin e kundërligjshëm të z. Llaban, është legalizuar kriminalizimi i kësaj Gjykate apo kulmit të drejtësisë kosovare. Çuditërisht, ndërkombëtarët nuk kanë reaguar për këtë dekretim kriminal kurse kanë qenë shumë të zëshëm, me të drejtë , kundër politizimit të kësaj Gjykate.
Realisht, z. Llaban, tash gjykatës i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, me një të kaluar të vërtetuar kriminale në bazë të një vendimi të pakundërshtueshëm të një gjykate në Serbi, tash edhe në listën e kërkimit ndërkombëtar, gjithmonë kur të largohet nga Kosova për ndonjë vizitë zyrtare mund dhe do të arrestohet dhe do t’i dorëzohet Serbisë dhe ku mbetet Kosova në këtë rast, si do të dëshmohet se është shtet i së drejtës dhe sundimit të ligjit kur presidenti i vendit e dekreton një të dënuar për aktivitete kriminale për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës?!!!!
Dekretimi i z. Llaban si gjykatës i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është dekretim politik i cili e dëmton shumë reputacionin e Kosovës në planin ndërkombëtar duke e rreshtuar në mesin e vendeve, jo që nuk e luftojnë korrupcionin dhe krimin e organizuar por e stimulojnë atë duke emëruar si gjykatës persona me të kaluar qartë dhe të dëshmuar kriminale. Presidenti Thaçi ka blerë kohë për ta dekretuar z. Llaban për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe , ndonëse e ka të qartë se z. Llaban, edhe të mos ishte në Listën e kërkimit të Interpolit, nuk e plotëson asnjë kriter për t’u zgjedhur në postin që kundërligjshëm e mbanë tani. Integriteti i lartë moral, besueshmëria, e kaluara e pastër morale, përgatitja profesionale janë disa nga kriteret që duhet të plotësohen si parakusht për të hyrë në rrethin e ngushtë për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
KMDLNj, gjithashtu e kundërshton edhe mënyrën e rekrutimit të kandidatëve për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës si dhe mënyrën e intervistimit nga Paneli që nuk ka kapacitet profesional ta bëjë përzgjedhjen e duhur për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese andaj duhet të bëhen ndryshime ligjore që krijojnë një mundësi dhe mekanizëm tjetër për zgjedhje të gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese sikur që edhe presidenti duhet të ketë kufizime ligjore që të mos ketë të drejtë të dekretojë edhe kandidatë me një të kaluar kriminale siç ishte rasti Llaban”.