Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut përmes një komunikate për media ka reaguar rreth rastit të ikjes së të burgosurit Q.K nga dhoma e sigurtë në QKUK.
Më 4 korrik i burgosuri në prani të oficerëve korrektues, ka kërcyer nga kati i dytë dhe është larguar në drejtim të panjohur.
“Kohë më parë, me një pompozitet mediatik u promovuan dhe përuruan tri dhoma të sigurta për persona të privuar nga liria dhe të dënuar që dërgohen për trajtim në QKUK-ë për shkak të mungesës së kushteve në Njësinë Spitalore të Qendrës Korrektuese në Dubravë. Sipas informatave të KMDLNj-së, i dënuari SH. Q . nga Prizreni , i lindur në vitin 1982 , në vuajtje të dënimit në Q.K. të Dubravës nga tetori i vitit 2018 gjatë trajtimit mjekësorë në QKUK-ë, me datë 4 korrik 2019, pikërisht nga dhoma e sigurt , në prani të oficerëve korrektues, ka kërcyer nga kati i dytë dhe është larguar në drejtim të panjohur”.
Sipas KMDLNJ-së duhet domosdosmërisht të ndërtohet një spital vetëm për trajtimin e të burgosurve.
“KMDLNj, edhe tani, sikur edhe më parë ka deklaruar domosdoshmërinë e ndërtimit të një spitali vetëm për të privuarit nga liria brenda hapësirave të Shërbimit Korrektues të Kosovës nga ku do të bëhej thuaja e pamundur arratisja e të dënuarve”.
KMDLNJ tha se QKUK nuk është vend i sigurtë për trajtimin e të privuarve nga liria.
“Kështu si është dhe si po veprohet, po dëshmohet se dhomat e sigurta nuk janë të sigurta dhe se QKUK-ë nuk është aspak vend i përshtatshëm për dhoma të sigurta për faktin se të dënuarit po arratisen nga këto dhoma dhe, në të njejtën kohë oficerët korrektues po e pësojnë duke u arrestuar, pa fajin e tyre sepse nuk mumd të sigurojnë mbikëqyrje 100% për të dënuarit. Në Spitalet Rajonale dhe QKUK-ë mundësitë për arratisje janë 100% më të mëdha se nga një spital brenda hapësirës së Shërbimit Korrektues të Kosovës e që nuk po ndërtohet por se po eksperimentohet me dhoma të sigurta”.