KMDLNj ka reaguar sot ndaj kërcënimeve me vrasje të gazetarëve Ilir Mirena dhe Berat Buzhala, raporton Ekonomia Online.
Në këtë reagim thuhet se brenda një qarku kohorë prej 24 orësh , nga persona me identitet real apo të sajuar janë kërcënuar me vrasje gazetarët Ilir Mirena dhe Berat Buzhala si dhe ish – kryeministri i Kosovës dhe luftëtari i orëve të para të UÇK-së, Ramush Haradinaj.
“Deri tani nuk pati asnjë reagim zyrtar apo institucional ose njoftim nga organet e sigurisë për këto kërcënime që për qëllim kanë frikësimin e veprimit opozitar, atij politik si dhe të gazetarisë. Këto kërcënime po ripërsëriten në kohën e fushatave zgjedhore si dhe gjatë proceseve, me rëndësi për Kosovën dhe qytetarët e saj. Përballja joparimore midis pozitës dhe opozitës po krijon një mjedis toksik ku fjala e lirë dhe veprimi opozitar, si të drejta elementare të njeriut e që mbrohen , së paku deklarativisht nga ligji në Kosovë, seriozisht po e rrezikojnë përcaktimin dhe veprimin demokratik për të cilin janë deklaruar pozita dhe opozita. KMDLNj-ë e dënon çdo kërcënim që e rrezikon veprimin politik opozitar dhe të pozitës sikur edhe punën e gazetarëve. Liria e punës, fjalës dhe shprehjes janë të garantuara dhe, si të tilla janë të pacenueshme”, thuhet në reagim.
KMDLNj-ë kërkon hetime të shpejta dhe marrjen e masave në përputhje me ligjin si kusht për parandalimin e kërcënimeve tjera dhe krijimin e kushteve për aktivitet politikë pavarësisht përkatësisë politike.
KMDLNj-ë në këtë reagim shfaq brengosje të thellë për kërcënimin e vazhdueshëm të gazetarëve në përpjekje për të penguar apo pamundësuar informimin objektiv që është edhe misioni kryesorë i gazetarisë.
KMDLNj -ë ka ftuar Prokurorinë e Shtetit që të caktojë një ekip emergjent të prokurorëve, sidomos gjatë fushatës që do të reagonte ex-officio kundër kërcënuesve dhe dhunuesve të lirisë së fjalës dhe aktiviteteve politike ndryshe përshkallëzimi o dhunës, fillimisht verbale do të përfundojë me dhunë fizike.
“Policia e Kosovës ka kapacitete të bollshme profesionale të pengojë dhe arrestojë dhunuesit, pavarësisht se kush janë ata. Politikanët duhet ta respektojnë kodeksin e mirësjelljes duke dhënë kontribut konkret për ulje të tensioneve gjatë fushatës , ditën e zgjedhjeve dhe në kohën e tranzicionit institucional pas zgjedhjeve”, thuhet në reagim