KMDLNj: Vazhdon diskriminimi i qytetarëve të Kosovës në baza etnike dhe politike

Prishtinë | 02 Qer 2021 | 14:13 | Nga Ekonomia Online

Këshilli për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut (KMDLNJ) ka reaguar për diskriminimin akoma të qytetarëve në baza etnike dhe politike.

“KMDLNj e rithekson faktin se qytetarët e Kosovës kushtëzohen dhe shantazhohen në mënyrë të kundërligjshme për faktin se, nëse nuk e keni të paguar tatimin në pronë, nuk mund të regjistroni automjetin e as ta bëni ndonjë marrëveshje për shtiblerje apo bartje të pasurisë së paluajtshme”, thuhet në reagimin e tyre.

Komunikata e plotë:

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, qytetarët serbë në veri të Kosovës por edhe në komunat tjera ku e përbëjnë shumicën, kanë refuzuar të paguajnë rrymën e shpenzuar, faturat e ujit, të mbeturinave si dhe për shërbimet tjera në ndërkohë që qytetarët e tjerë janë detyruar t’i paguajnë këto fatura edhe nën kërcënim të burgut apo përmes përmbaruesve privatë.

Në fillim, hajnia e shtetit ndaj shqiptarëve dhe qytetarëve tjerë të komuniteti joserbë ishte maskuar përmes fryerjes së faturave dhe kur kjo u hetua , u bë publike se të gjitha qeveritë kanë ndarë mjete nga buxheti i Kosovës, afërsisht te 10 milionë euro në vit për t’ua paguar vetëm shpenzimet e rrymës qytetarëve serbë. Në këtë mënyrë qytetarët kosovarë joserbë ishin plaçkitur nga shteti dy herë; 1) përmes fryerjes së faturave dhe 2) përmes ndarjes së parave nga buxheti i Kosovës përkatësisht nga taksat e qytetarëve.

Gjatë kohës së qeverisë Haradinaj, pasi ishte faktuar plaçkitja e qytetarëve nga institucionet e shtetit edhe nga KMDLNj, nga Avokati i Popullit dhe nga Komisioni përkatës parlamentar, ishte vendosur të ndërpritet ky diskriminim i pashembulltë për një shtet ku funksionon ligji sikur që ishte vendosur që qytetarët e plaçkitur nga shteti të kompensohen përmes uljes së vlerave të faturave e që nuk ka ndodhur, përveç veprimeve simbolike. Edhe qeveria Kurti 2 ka ndarë 11 milionë euro për rrymën e shpenzuar nga serbët e që nënkupton se ky diskriminim dhe kjo plaçkitje e qytetarëve të Kosovës joserbë po vazhdon dhe se nuk i dihet kur do të përfundojë.

KMDLNj e thekson faktin se të gjitha qeveritë e Kosovës pas përfundimit të luftës, pa asnjë përjashtim, kanë ndarë mjete për këtë qëllim andaj është e pamoralshme të akuzohet një qeveri për një veprim që e kanë bërë edhe vet. KMDLNj, edhe më parë ka shfaqur dyshimin se mund të jetë një marrëveshje e nënshkruar për ta paguar rrymën e shpenzuar të serbëve për të cilët qytetarët nuk kanë njohuri dhe se ndërkombëtarët e përkrahin këtë diskriminim të kundërligjshëm për faktin se ditë më parë zyrtarë të lartë të BE–së deklaruan se :“ shpresojnë dhe kërkojnë që institucionet e Kosovës të mos e bëjnë inkasimin e dhunshëm në veri për faturat e rrymës e të cilat nuk i kanë paguar serbët…“. Kurse, në anën tjetër asnjëherë nuk kanë dalë në përkrahje të qytetarëve romë dhe të tjerë, me një gjendje të rëndë ekonomike për t’ua kompensuar faturat e rrymës ndonëse përmbaruesit privatë e kanë bërë përmbarimin edhe duka ua marrë paratë e pensionit dhe ndihmave sociale.


Tash , po del se po këta qytetarë të papërgjegjshëm nuk i kanë paguar as faturat e ujit në vlerë prej 15 milionë euro, që nga përfundimi i luftës duke e vënë në pozitë të rëndë kompaninë që furnizon qytetarëte Kosovës me ujë. A nënkupton që edhe për këto shpenzime të painkasuara nga serbët, qeveria e Kosovës duhet të ndajë mjete shtesë apo se qytetarët joserbë duhet të paguajnë faturat e fryera apo atë që bëhen paushall, pa u lexuar matësi i shpenzimeve të ujit?! Pastaj, mbase duhet të kompensohen edhe faturat e mbeturinave, tatimi në pronë etj.

KMDLNj e rithekson faktin se qytetarët e Kosovës kushtëzohen dhe shantazhohen në mënyrë të kundërligjshme për faktin se, nëse nuk e keni të paguar tatimin në pronë, nuk mund të regjistroni automjetin e as ta bëni ndonjë marrëveshje për shtiblerje apo bartje të pasurisë së paluajtshme.


Në një shtet i cili ka Kushtetutën e vet , ligjet që e rregullojnë funksionimin e institucioneve dhe i cili thuaja në çdo rresht të Kushtetutes apo të ligjeve në fuqi përmend të drejtat dhe liritë e njeriut, si kusht i domosdoshëm për proceset integruese dhe legjitimitet demokratik ndërkombëtarë, diskriminimi që iu bëhet qytetarëve të Kosovës, shqiptarëve dhe anëtarëve të komunitetit joserbë do të kundërshtohej qoftë edhe si ide e lëre më të lejohej, siç po lejohet, si zbatim ! Nuk mund ta gjeni një rast të ngjashëm të diskriminimit në baza etnike dhe politike sikur që ndodhë në Kosovës.

Këso raste nuk keni pasur as në kohën e apartejdit, në Afrikën e Jugut . Në kohën kur një numër i qytetarëve të Kosovës përballen me mungesë të rrymës dhe të ujit ndonëse i paguajnë faturat rregullisht e në anën tjetër qytetarët serbë, nuk i paguajnë faturat , jo për shkak të gjendjes ekonomike por për shkak të mosbindjes ndaj shtetit të Kosovës, të flisni për respektim të drejtave të njeriut dhe barazi para ligjit për të gjithë qytetarët, pa bërë asnjë dallim , është gënjeshtër dhe marrëzi ordinere!

KMDLNj nuk do të kundërshtonte asnjë vendim kur qytetarët, pa asnjë dallim e që janë në gjendje të rëndë ekonomike do të liroheshin nga pagesa e disa faturave por, në të njëjtën kohë fuqishëm e kundërshton faktin se lirimi nga pagesa e këtyre fatuarve të bëhet sipas parimit etnik dhe përcaktimit politik, duke shpërfillur kriteret sociale.

KMDLNj e ka një pyetje publike për qeverinë e Kosovës; pse qytetarët e Kosovës, shqiptarë, romë, egjiptas, ashkalinj, turq, boshnjak dhe goranë kanë detyrim, edhe nën kërcënim të përmbarimit detyrohen të paguajnë faturat për shërbime publike kurse serbët nuk i nënshtrohen këtij detyrimi?
Në çdo vend dhe në çdo shtet në botë, qytetarët kurrë nuk do të pajtoheshin me këtë diskriminim dhe shkelje flagrante të drejtave të njeriut dhe barazisë para ligjit, do të protestonin, do t’iu drejtoheshin Gjykatave, madje, deri te Gjykata për të Drejtat e Njeriut në Strasbur (këtë të drejtë nuk e ka Kosova) dhe çdo reagim i tyre do të konsiderohej i drejtë, i ligjshëm dhe, pa asnjë dyshim, i domosdoshëm!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme